Fillon sot ndërtimi i parkut më të madh fotovoltaik në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se parku do të nisë që të prodhojë energji diellore nga mesi i vitit 2023. Dhe prej kësaj periudhe e 15 vitet në vijim, Shqipëria do të marrë 70 megavat orë me 24.89 Euro.
“Siç përmenda më parë kur megavat orë shitet më shumë se 300 Euro sot dhe parashikohet që të rritet ky çmim në tregun ndërkombëtar, Shqipëria do të ketë mundësinë që në 15 vitet e ardhshme duke filluar nga mesi i vitit 2023 kur ky park do të jetë në prodhim ne të kemi 70 megavat orë të disponueshme me 24.89 Euro”, tha Balluku.
Parku do të ndërtohet në Karavasta dhe do të ketë kapacitet 140 megavat në një sipërfaqe 120 hektarë.
Ky ndërtim do të bëhet në bashkëpunim me liderin botëror në sektorin elektroenergjetik, kompaninë franceze Voltalia. Sipas qeverisë, ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike të Shqipërisë.