Nga Ylli Pata
Britanikët ndoqën një taktikë krejt ndryshe nga SHBA një vit më parë kur ndëshkuan Sali Berishën. Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, tha që do të ketë ndëshkime për zyrtarë që janë të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, por emrat nuk do të bëhen publike.
E në fakt, kjo taktikë pati efekt më të madh, ishte vetë Berisha që e publikoi madje me detaje të gjithë dokumentin e Home Office, e buja që ndoqi ishte dhe është e madhe.
Por çfarë po ndodh realisht në kampin e opozitës shqiptare. Ndryshe nga një vit më parë, kur pati një hutim, një heshtje varri deri sa nisën deklaratat e zyrtarëve të SHBA-së që kërkuan nga PD të veprojë, të shkëputet nga e shkuara e të bëhet gati që të përqafojë një model perëndimor politik të një partie që është pjesë e Partive Popullore Europiane.
Amerikanët shkuan në selinë e PD-së, duke bërë të qartë se ndëshkimi i Berishës nuk ka lidhje me partinë, me opozitën, e cila do të duhej të reformohet, të hynte në një fazë të re, një cikël politik për tu bërë alternativë politike.
Me një fjalë i llastuan pak si shumë, pasi thjesht mund të bënin një deklaratë që mbështesim demokratët e thjeshtë dhe presim që të largoheni nga e shkuara siç thanë dhe kaq. Pastaj metafora e barit e cila u shqiptua nga ambasadorja e SHBA Yuri Kim, nuk ishte gjë tjetër veçse një konstatim, e aspak presion siç u tha nga skifterët e Berishës, sipas të cilëve “demokratët i kërcënuan të hanë bar”.
Ambasadorja amerikane ka sjellë në vëmendjen e publikut shqiptar pikërisht atmosferën e rëndë antiamerikane që po ndjehej në mediat pranë opozitës vetëm për të qëndruar në anën e Sali Berishës.
Një atmosferë që ngjante si dy pika uji me vetëizolimin e kohës së Enver Hoxhës kur ai thoshte se: “bar do të hamë dhe parimet s’i shkelim”.
Mirëpo ç’ndodhi? Partia Demokratike, njerëzit e lidershipit të saj nuk diskutuan apo debatuan me njëri-tjetrin për këtë gjë, pikërisht sepse u vunë para presionit që të quhen besëprerë e tradhëtarë siç dhe ndodhi. Deri në shtator kishim një heshtje varri, deri ditën kur Lulzim Basha shpalli përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Një vendim i fortë që realisht është zhvillimi më i rëndësishëm pas shpalljes së Berishës Non Grata nga ana e opozitës shqiptare.
I cili normalisht që do të trazonte ujrat, do të sillte atë zhurmë të madhe që ndodhi, e ku Berisha do të tentonte të merrte partinë, deri edhe me dhunë, siç ndodhi më 8 janar.
Vendimi i Lulzim Bashës krijoi për herë të parë një situatë dy polare në PD, e cila është prezente edhe sot e kësaj dite nga qendra në bazë, veçse që qëndron “in hold” duke pritur një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Vendim që natyrisht është i rëndësishëm, por ai në vetvete nuk prodhon vetëndërgjegjësim politik. Deri tani ka një zallamahi inati, sulmesh, madje të egra të mbështetësve të Sali Berishës, duke thirrur për revolta, duke sulmuar e mallkuar Britaninë e Madhe dhe SHBA, që i akuzojnë jo vetëm se sipas tyre lanë Enverin 50 vjet në krye të Shqipërisë, por edhe që shiti Kosovën, edhe që mbajti Indinë koloni e gjëra të tilla, që vetëm koncept politik nuk janë.
Kosova sot është një shtet i pavarur, e çliruar prej vitit 1999 si pasojë e një lidershipi SHBA-Britani e Madhe, përkatësisht Bill Clinton e Tony Blair. Të cilin e sulmojnë egër njerëzit e Berishës sepse sipas tyre ai ka ndikuar për vendimin e marrë nga Londra zyrtare.
Po realisht ku ndryshon vendimi i SHBA me atë të Britanisë së Madhe, edhe pse në thelb ata kanë të përbashkët ndëshkimin ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij për vepra të rënda që nga korrupsioni tek Krimi i Organizuar?
Vendimi i Londrës zyrtare është marrë nga Home Office, përkatësisht ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar dhe jo nga ministria e Jashtme, e cila ka të drejtën të shpallë “të padëshirueshëm” politikanë apo diplomat të vendeve të tjera. Që do të thotë se ky vendim do të hyjë në databazen e të gjitha agjencive ligjzbatuese britanike të luftës ndaj krimit, deri tek Interpol. E që do të shpërndahet në vendet e Commonwealth-it britanik.
Për Britaninë e Madhe, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, konsiderohet një person që ka ekspuls të përjetshëm për arsye të lidhjeve me krimin, i cili është një njollë edhe më e errët si për subjektin në fjalë, por edhe për Shqipërinë që ka një zyrtar të nivelit të lartë të ndëshkuar kaq rëndë.
Ky vendim i marrë nga Home Office është krejt lehtësisht i kontestueshëm në një gjykatë të Mbretërisë së Bashkuar. E bëjnë shpesh mjaft emigrant shqiptarë që u jepet ekspuls në Angli prej vitesh e vitesh, të cilët pajtojnë avokatë dhe shumë ja kanë dalë. Natyrisht jo ata që kanë pasur kartelën penale të Home Officë të zezë sterrë; ata kanë ikur nga Britania për të mos u kthyer kurrë, e ka shumë të tillë. Po Sali Berisha, a do ta tentojë betejën gjyqësore me ministrinë e Brendshme angleze? Me SHBA premtoi se do ta bënte me spontë nëpërmjet Francës, por doli flluskë sapuni.