Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të kërkojë nga autoritetet britanike të dorëzojnë pranë organeve të drejtësisë të gjitha të dhënat që kanë kundër tij.
Ai u shpreh se do të konsultohet me ekspertë për hapat ligjorë që do të ndërmarrë për të mbrojtur dinjitetin e tij dhe vendit që përfaqëson.
Berisha shprehu habi pse kryeministri Edi Rama është gjithmonë i pari që merr vesh një vendim të tillë.
“Çdo vendim i bazuar në shpifje, mbi korrupsionin, është mbështetje reale për korrupsionin dhe krimin. Më mirë se kushdo këtë e dinë shqiptarët, të cilët, me mbështetjen masive pas shpalljes sime non grata, kanë dëshmuar se askush dhe kurrë nuk do të mund t’u shesë atyre shpifjet dhe mashtrimet për të vërteta, dhe aktet hakmarrëse politike si akte antikorruptive, apo t’i përdorë ato për t’iu emëruar kryetarët e partive të tyre. Ftoj të gjithë t’i bëjnë një pyetje vetes: Perse këto sulme dhe shpifje, krejt bajate dhe pa asnjë bazë, vijnë plot 9 vjet pasi Sali Berisha ka lënë pushtetin?
Përse ato vijnë në një kohë kur nën qeverisjen e Ramës krimi ka kapur shtetin dhe vënë përfund Shqipërinë, kur vendi është kthyer në një plantacion droge dhe ku, sipas dosjeve të mirënjohura në Prokurori dhe raporteve të OSBE, bandat dhe krimi i organizuar blejnë vota për pushtetarët?
Përse ato vijnë në një kohë kur banditët kanë marrë mandate deputetësh dhe kryebashkiakësh, kur opinioni tronditet çdo ditë nga magnituda e aferës së inceneratorëve, e Butrinit dhe e portit të Durrësit, e qindra afera të tjera korruptive te qeverisë më të korruptuar në Europë të Edi Ramës dhe, akoma më shumë nga indiferenca e drejtësisë për të hetuar atë dhe qindra afera të tjera?
Përse ato vijnë në një kohë kur, ende nuk është shuar jehona e lidhjeve me krimin e organizuar dhe kriminelët, të dala qartë në përgjimet e Prokurorisë të dosjeve 184 dhe 339, të zbardhura edhe nga gazetat gjermane? Politikanët e këtyre përgjimeve, shokë me “çunat problematikë”, janë sot kryeministër dhe ministra.
Ironia e fatit është se, i pari që i bën publike këto vendime është Edi Rama.
Secili mund të zgjedhë t’i përgjigjet vetë këtyre pyetjeve, por përgjigja ime është se, ashtu siç kam bërë deri sot, do vazhdoj të luftoj i palëkundur për të pastruar vendin nga krimi dhe korrupsioni, si rruga e vetme për të shpëtuar Shqipërinë dhe shërbyer interesit të qytetarëve te saj, deri ditën që ata do besojnë te Sali Berisha!
Në përfundim, ftoj autoritetet britanike të dorëzojnë pranë organeve të drejtësisë të vendit të tyre, dhe pranë organeve të drejtësisë në Shqipëri, çdo fakt, provë apo dokument që disponojnë, ata ose kushdo tjetër, për akuzat që kanë ngritur kundër meje.
Për të gjitha këto shpifje, unë do konsultohem me ekspertë për hapat ligjorë që do të ndërmarr për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin tim dhe të vendit tim, për aq sa unë e përfaqësoj”, tha ai.