Nga Ardit Rada
Prej ditës së djeshme, Shqipërisë i është shtuar një tjetër vepër infrastrukturore, aksi Kardhiq-Delvinë. Prej afro 14 vitesh nga nisja e punimeve, 33 kilometrat e rrugës në fjalë mund të përshkohen nga qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Sarandës duke shmangur kështu trafikun, apo orarin e tejzgjatur duke kaluar Qafën e Muzinës.
Rruga që afron Tiranën apo çdo qytet tjetër me Sarandën, nuk mund t’i shpëtonte ciklonit të akuzave që Partia Demokratike i ka në majë të gjuhës. Duke bërë rolin e shejtan-budallait, njerëz pranë Sali Berishës pikërisht në prag të këtij inaugurimi ‘harruan’ se ajo ka nisur që në kohën kur PD qeveriste. Dhe pikërisht në vitet 2007-2013, u pa se ç’kishin bërë…
Sot, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, duket se e trazon jo pak opozitën. Arsyet janë të kuptueshme, pavarësisht se ajo vetë ka zgjedhur të mbajë një profil publik kryesisht teknik, duke shmangur t’i përgjigjet çdo shejtan-budallai që hedh një gur diku. E megjithatë duket se ministrja që rezulton nga më të sulmuarat e ka trazuar jo pak PD-në apo LSI-në për shkak të impaktit politik që ka krijuar tek socialistët dhe tek qytetarët me aktivitetin e saj qeverisës, përmes “bombardimit” me projekte madhore që kanë një impakt të pamohueshëm tek shqiptarët nga veriu në jug dhe modelit të dorëzimit “me çelësa në dorë”.
Balluku që më së shumti shfaqet në kantiere ndërtimi, pa u “vrarë” sytë njerëzve në ekrane në mëngjes, drekë dhe darkë, dorëzoi çelësat e disa prej projekteve të zvarritura për një kohë të gjatë, siç ishin rruga Tiranë- Elbasan, bypassi i Fierit, bypassi i Tepelenës, byppasi i Vlorës, që dorëzohet përfundimisht pas pak ditësh, Unaza e Madhe e Tiranës, Aeroporti i Kukësit, dhe një sërë veprash të tjera që lidhen edhe me Energjetikën.
Teksa të shtunën vuri një tjetër vulë ku përmes përfundimit në kohë rekord të Kardhiq-Delvinë, qeveria i dha “dalje” në det Gjirokastrës e deri Tepelenës dhe zonave përreth. Duhet theksuar sërish se rruga kishte ngecur që në kohën e Berishës, pavarësisht se kishte “gëlltitur” miliona euro, për të parë ditën e inagurimit vetëm pas dy vitesh punë dhe përpjekjesh intensive.
Por lista e projekteve të mëdha aktualisht në duart e Ballukut, për “fatin e keq” të opozitës, vazhdon me disa projekte që madje mund të konsiderohen si historike. Tuneli i Llogarasë dhe Hidrocentrali i Skavicës, duket se janë më të mëdhatë në krye të kësaj liste.
Për të mbërritur tek projektet e tjera energjitike, të vlerësuara dhe nga vetë kryeministri Edi Rama, partnerët tanë rajonalë dhe ndërkombëtarë, veçanërisht ata amerikanë dhe që kanë të bëjnë me krijimin e burimeve energjetike për përballimin e krizës së shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, duke krijuar të gjitha kushtet që portet shqiptare të shërbejnë si portë hyrëse mallrash dhe energjie për tërë rajonin e Ballkanit dhe më gjërë. Duke e ndërlidhur dhe me projekte madhore që tashmë e kanë marrë financimin, që kanë të bëjnë me linjat hekurudhore.
Dhe kjo nuk është rastësi!
Belinda Balluku si deputetja më e votuar në qarkun e Tiranës dhe një nga më të votuarat në vend, me mbi 15 mijë vota, po krijon gjithnjë e më shumë një impakt të fortë te qytetarët dhe një profil politik mjaft të rëndësishëm.
Rezultatet e larta të shënuara në ballafaqimin elektoral në kryeqytet, si personalisht ashtu dhe në zonën që i ishte caktuar në Kombinat, por edhe rezultati i arritur brenda radhëve të partisë, ku në kongresin e fundit ishte personi më i votuar për zgjedhjen në Kryesinë e PS, ka bërë që përvojën e saj politike ta vijojë në qarkun e Dibrës, ku kryesia e PS dhe kreu i mazhorancës Edi Rama e përzgjodhën si drejtuese politike.
Vetëm pak muaj më parë ajo në bashkëdrejtim politik më Ulsi Manjën arritën një rezultat shumë të thellë për bashkinë e Dibrës, në zgjedhjet e pjesshme lokale, gjithesesi përballë një opozite të përçarë që më shumë u mor me sherret e brendshme, se sa me kundërshtarin politik. Me siguri që përballja tjetër elektorale do të jetë më e ndryshme dhe shumë më e fortë.
Por pavarësisht se është një zonë e vështirë elektorale, e njohur si një qark i djathtë, duket se tashmë Ballukut i pëlqejnë vetëm sfidat e forta, për të merituar plotësisht “statusin” e politikanit që realizon çdo detyrë.
Ndaj sot, rezultatet e ministres në fjalë janë në një kontrast të thellë dhe ku e ku me akuzat e opozitës që kërkon të gjejë gjilpërën në kashtë në emër të ‘debatit publik’. Është pikërisht kjo opozitë dhe rivalë të tjerë të politikës që ende s’e kuptojnë se topat e baltës ndonjëherë kthehen në energji dhe frymëzim të shtuar, për të vijuar me sfidën e radhës.