Në kuadër të rregullave të reja të qarkullimit rrugor policia e shtetit ka vënë në ‘lëvizje’ dronin edukues për të kapur mat shoferët që nuk lënë këmbësorët të kalojnë te vijat e bardha.
Droni është vendosur në unazën e Tiranës pranë rrugës së Elbasanit ku kalimi i këmbësorëve nuk bëhet me semafor por vetëm me vijëzimin e rrugës.
Për pasojë shumica e shoferëve vazhdojnë qarkullimin normalisht duke mos lënë këmbësorët të kalojnë.
Droni ‘memorizon’ targën e automjeteve që kapen në shkelje dhe pak metra më tutje policia rrugore ndalon shoferët duke i gjobitur ata për shkeljen e kryer. Ndëshkimit nuk i ka shpëtuar as drejtuesi i një motoçiklete.
Njoftimi i policisë
Një ndër objektivat e “Dronit edukues” është rritja e sigurisë rrugore nëpërmjet kontrollit të sjelljes së përdoruesve të rrugës, në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Drejtuesit e mjeteve që shfaqen në këtë video nuk respektojnë përparësinë e këmbësorëve në vizat e bardha, shkelje e cila ndëshkohet me masë administrative, sipas nenit 189 të Kodit Rrugor. Ec i sigurtë, respekto rregullat e qarkullimit rrugor