Presidenti Bajram Begaj është takuar me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Në një postim Tëitter, Begaj shkruan se takimi i parë për të si president i Shqipërisë u zhvillua pikërisht me ambasadoren amerikane, çka i hap rrugë angazhimit të mëtejshëm të miqësisë mes dy vendeve. Ndër të tjera thotë se patneriteti i SHBA-së me Shqipërinë është i vlefshëm në forcimin e demokracisë dhe prosperitetit.
“Partneriteti i SHBA dhe Shqipërisë është shumë i çmuar në forcimin e demokracisë dhe prosperitetit. Takimi i sotëm me Yuri Kim, i pari për mua si President i Republikës së Shqipërisë i hap rrugë angazhimit të mëtejshëm në zhvillimin e miqësisë mes dy vendeve. Shqipëria dhe SHBA krah për krah”, shkruan Begaj.
Më 24 korrik, Begaj mori detyrën dhe tha prioritetet e tij në mandatin 5-vjecar do të jenë uniteti politik dhe njerëzor, siguria kombëtare, rrugëtimi drejt BE dhe roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Begaj shtoi se po e merr këtë përgjegjësi në një moment historik dhe misionin e ri që i është besuar do ta kryejë mbi palët e nuk do të qëndrojë neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike përpara interesit të Kombit. Fjalët e tij të para si president, Bajram Begaj ia kushtoi luftës në Ukrainë, e më pas rrugës së pakthyeshme drejt integrimit. Një mesazh e pati edhe për qeverinë dhe opozitën, ndërsa paralajmëroi 0 tolerancë ndaj kujtdo që vë interesat e tij para atyre të kombit.
Teksa renditi objektivat e tij në marrjen e detyrës si President, Bajram Begaj tha se u betua për besnikëri ndaj Kushtetutës e ligjeve të vendit, për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, për të mbrojtur Pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar. Presidenti Begaj tha se do të jetë shërbëtori i popullit të tij dhe do të mbështesë rrugëtimin euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, e kudo ata ndodhen.
Në postin e kreut të shtetit, Bajram Begaj zëvendëson Ilir Metën. Bajram Begaj, mori besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në seancën parlamentare të 4 qershorit 2022, Begaj u zgjodh President i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim (83 deputetë morën pjesë në votim).