Nga Ilir Yzeiri/
Debati që ka nisur kohët e fundit pas « zbulimit » se një shtetar i lartë me inicialet IM ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, ashtu siç ndodh gjithmonë në hapësirën tonë publike, u kthye në një sport kolektiv dhe një pjesë e madhe dallkaukësh, delirantë dhe skzofrenë të stimuluar edhe nga vapa e këtyre muajve, jo vetëm që nuk u tronditën edhe ata nga ajo që ishte thënë, por, përkundrazi, e morën në mbrojtje Ilir Metën dhe dyshimin për atë që mund të jetë zbuluar e quajtën si një manipulim të qeverisë.
Këtu nuk është rasti të përmend artikulimet e përroit psikik që rrjedh nga burimi « non grata ». Tashmë ai njihet dhe nuk çudit më njeri, por problemi më i madh janë « nongratistët », ata që « non gratën » kanë nisur ta shohin si një armë të qëndresës ndaj vlerave perëndimore dhe bashkohen rreth tij si ato turmat e çartura të dervishëve që rrahin gjoksin e shpatullat me kamzhik dhe bëjnë thirrje për gjak.
Vështruar në këtë anë duket se pamja është e zymtë, por nuk është krejtësisht ashtu sepse për ta çuar deri në fund këtë maskaradë « nongratistët » kanë edhe dy personazhe të famshme. Njëri shtë Agim Nesho i cili vetëm me praninë e tij të shton humorin dhe ta bën jetën e bukur, pastaj sapo hap gojën ti mendon se ky vend e meriton të jetohet sepse budalla si ky dhe delirant të trishtuar më të realizuar se ky nuk e gjen në gjithë dynjanë. Tjetri është Tritan Shehu i cili në vlim të kësaj zallamahie bën zbulimin « madhështor » se lia e majmunëve përhapet nga « pederastët » dhe nga « gay-t ». Në çdo vend normal demokratik kësaj deklarate do t’i ishte bërë një kundërshtim i ashpër, sepse respektimi i vlerave të gjinisë dhe gjuha ofensive ndaj shtresave të margjinalizuara nga vështrimet radikale jo vetëm dënohet ashpër, por, në respekt të lirisë, ajo gjuhë duhet futur brenda dhe nuk duhet lëshuar ashtu sepse mund të nxisë dhunën gjinore. Mirëpo dikush thotë se Tritani këtë zbulim e ka më shumë të lidhur me sferën social patologjike dhe, në nënvetëdijen e tij, sulmi nga prapa me lëndë vegjetale sidomos në grupe të mëdha dhe në stadium mund të provokojë, veç të tjerash edhe linë e majmunëve.
Ndërkaq, përveç kësaj pamjeje groteske, problemi është vërtet serioz dhe po ta vështrosh thellë na tregon ne shqiptarëve jo ashtu siç e meritojmë të jemi, por ashtu siç në fakt shfaqemi.
Rënia e diktaturës ishtë vërtet një tronditje e madhe shoqërore në vend. Mirëpo, ne, pikërisht këto tronditje të mëdha nuk dimë t’i menaxhojmë si popuj të pjekur e të mëdhenj. Diktatura, për të qëndruar në këmbë, siç e dimë të gjithë, kishte ndërtuar edhe aparatin shtypës të inteligjencies ose atë që thirrej Sigurimi i Shtetit. Kishte ndërtuar një ushtri të stërmadhe, një rrjet mbrojtjeje të sofistikuar. E kontrollonte territorin me lehtësinë më të madhe dhe për nevojat e saj e kishte gjithë vendin dhe banorët e tij të skeduar. Diktatura e egër kishte ndërtuar edhe disa vepra industriale të cilat, siç dihet, në fund, për shkak të politikave izolacioniste falimentuan. Kishte ndërtuar një rrjet të gjerë spitalesh e arsimi dhe, ashtu si të gjitha diktaturat e tjera, kishte arritur të çonte në të gjitha skajet tre figura : policin, mjekun dhe mësuesin. Simboli i diktaturës ishte burgu për kundërshtarët politikë dhe përjashtimi nga jeta publike e tyre dhe e familjarëve të tyre si dhe dhuna e egër ndaj atyre që mund të dyshonin për të, ndërtimi socialist dhe iluminimi i mendjes për të rrënjosur aty modelin komunist të jetës dhe për të ngulitur në kokë kultin e diktatorit Enver Hoxha.
Trauma të tilla ndodhën në të gjitha vendet e ish-Lindjes komuniste, por asnjë prej tyre nuk u soll me të shkuarën e saj me keq se ne, për të mos thënë që disa prej tyre nuk prekën fare strukturat shtetërore për shkak se shtetet e tyre ishin të ndërtuara me frymëzim më shumë nacionalist sesa ideologjik.
Ndërsa te ne, si asnjëherë tjetër, u shfaq barbaria dhe tendenca për të shkatërruar pikërisht thelbin dhe indin e shtetit. Në vend që inteligjencia politike të merrte situatën nën kontroll, ajo iu la e gjitha në dorë një njeriu të vetëm, ai që sot është shpallur « non grata ». Pikërisht kjo te bën të mendosh sot se ata që nuk ia donin të mirën këtij vendi paskan qenë më të zotë se të gjitha agjenturat brenda vendit. Kështu, transformimi që do të duhej të ishte paqësor, juridik dhe dinjitoz, u bë i dhunshëm dhe me mjete barbare. Në vend që pasuria kombëtare të inventarizohej dhe të ruhej, ajo u plaçkit ose u privatizua në mënyrë qesharake. Por krimi më i madh u bë në sistemin e rendit, inteligjencies dhe mbrojtjes. Armata e madhe e punonjësve të Sigurimit të Shtetit dhe sistemi dhe rrjeti i gjerë i bashkëpunëtorëve që ishin krijuar për dyzetë e ca vjet, në vend që të trajtoheshin me kujdes dhe me integritet, u shfrytëzuan nga ai që sot është shpallur « non grata » për të ndërtuar një sistem tjetër represiv dhe një shtet tjetër që do të mbështetej në shantazhin mbi ata që mendonin ndryshe dhe që do të kundërshtonin qeverinë e cila formalisht erdhi nga protestat e studentëve. Në vend që të krijoheshin komisione dinjitoze me personalitete juristësh e të fushave të tjera për të hartuar e zbatuar akte ligjore që do të na bënin të ndaheshim me dinjitet me të kaluarën, qeveria e « non gratës » nuk u mor kurrë me pastrimin dhe me ndarjen me të kaluarën. Dosjet ishin dhe mbetën deri në fund një kërcënim për kundërshtarët politikë. Në vend që të zbuloheshin krimet e diktaturës me komisione dinjitoze ku të tregohej se cilët ishin ata që duke shkelur edhe ligjet e diktaturës kishin vrarë pa gjyq, kishin torturuar e internuar kundërshtarët politikë, qeveria e « non gratës » konfliktin e parë e pati me të përndjekurit politikë.
Është e kotë sot të flasësh për komisionet « Bezhani » e « Mezini ». Ndërkaq është meritë e Edi Ramës personalisht dhe e qverisjes së tij që për herë të parë institucionalizuan sistemin e rrjetit të ish-sigurimit të shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre me anë të sistemimit të dosjeve dhe mundësinë që gjithsecili të shkojë sot dhe të kërkojë informacion për vete apo edhe për ata që ai mendon se mund t’i kenë shkaktuar dëme. Kjo bëri të mundur që të zbulohet edhe emri i zyrtarit të lartë IM që tani është kuptuar se bëhet fjalë për Ilir Rexhep Metajn.
Gogoli i sigurimit të shtetit sot nuk tremb njeri, por ajo që na shpartallon të gjithëve mendërisht është ana morale e problemit dhe shkatërrimi përfundimisht i vlerave. Në gjithë këta vjet ne treguam se nuk dimë të ndërtojmë një shtet që ka në themel formën e institucionit demokratik e juridik që ka si qëllim administrimin e vendit dhe ruajtjen e integritetit kombëtar përmes bashkëpunimit me forcat përparimtare dhe në aleancë me vendet euroatlantike. Në gjithë këta vjet, por sidomos gajtë qeverisjes së « non gratës », ne kemi kërkuar të ikim në drejtim të kundërt me atë që na tregonin partnerët tanë dhe falë tyre kemi shpëtuar pa rënë në kolapse si ai i vitit 1997.
Ilir Meta edhe pa qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, na është shfaqur në gjithë këta vjet si politikani më i përfolur për të gjitha krimet që mund të realizojë një shtetar i lartë. Ilir Meta është pikërisht shfaqja e institucionit të antivlerës që u instalua qysh në fillim pasi u shemb e ra diktatura. Nëse ne do të kishim ndërtuar që në fillim një shtet normal në të cilin të ishte sanksionuar edhe shkalla e ndëshkimit dhe koha e parashkrimit për të gjithë ata që me veprimtarinë e tyre si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit kishin dëmtuar pa të drejtë të tjerët, Ilir Meta nuk do të kishte nisur karrierën politike brenda PS-së dhe për një periudhë të caktuar do të ishte përjashtuar nga veprimtaritë politike e publike.
Në atmosferën e gjithë këtyre viteve, ku me të drejtë figura e bashkëpunëtorit të sigurimit të shtetit është paraqitur si veprimtari që duhet të ndëshkohet moralisht, Ilir Meta, me vetëdije, e shmangu këtë kurth moral dhe e fshehu të shkuarën e tij. Pikërisht kjo përbën krimin më të madh. Por ky krim nuk është kryer vetëm nga Ilir Meta. Ai është krimi monstruoz i këtij tranzicioni që nisi jo me dënimin e krimeve të diktaturës dhe me ndarjen dinjitoze me të, por duke instaluar modelin e së kaluarës komuniste në ndërtimin e një shoqërie që do të promovonte fshehjen e identitetit, shkatërrimin e pronës publike dhe vjedhjen.