Prodhimi i ullirit në vendin tonë arriti në 110.164 tonë, vitin e kaluar duke shënuar një rritje me 2%, krahasuar me një vit më parë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 34.241 tonë pasuar nga qarku Elbasan me 21.102 tonë.

Më pas, vjen qarku Vlorë me 20.298 tonë.

Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 87,60% të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 12,40%.

Ullishtaria është kthyer në një sektor të rëndësishëm për ekonominë e vendit kjo edhe për shkak të politikave orientuese dhe ndihmuese të ndërmarra së fundi nga qeveria që po adreson mbështetje të prekshme për këtë sektor.

Programi qeverisë për zhvillimin e ullirit, synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”. Për herë të parë këtë vit fermerët u përfshinë në skemën e mbështetjes me naftë, me qëllim zhvillimin e këtij sektori.

Shqipëria ka afro 11 milionë pemë ulliri, ku afro 8 milionë pemë llogariten në prodhim.

Krahas zgjerimit të sipërfaqeve të mbjella me ullinj, në vendin tonë është rritur ndjeshëm edhe prodhimi i vajit të ullirit.

Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është i bazuar kryesisht në biznese familjare. Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj ulliri, ndërsa konsumi i vajit të ullirit për frymë është afro 7.1 litra/vit.

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar edhe për eksport edhe në tregjet evropiane.