Tani në Moskë, por jo vetëm, po na thuhet se Rusia është shumë pranë arritjes së objektivave të saj në rajonin ukrainas të Donbasit. Se ka ardhur koha të nisin negociatat, dhe se vetëm vullneti pervers dhe i fokusuar tek vetja i Shteteve të Bashkuara dhe i aleatëve të saj të skllavëruar evropianë për të vazhduar furnizimin e Ukrainës me armë, është duke e penguar arritjen e një lloj paqeje.
Natyrisht, një paqeje ‘alla ruse’, e diktuar fjalë për fjalë nga një Vladimir Putin që thotë se ndodhet tashmë në një pozicion më të fortë. Prandaj, thonë zërat pro-rusë në Perëndim, mjaft me furnizimin me armë të Volodymyr Zelensky-t.
Pasi fitorja ruse është e pashmangshme, dhe përpjekja për ta parandaluar atë, është jo vetëm e kotë, por shërben vetëm për të shkaktuar fatkeqësi të tjera, që do të binin mbi kurrizin e qytetarëve evropianë. Makthet më të këqija mund të bëhen realitet, raporton abcnews.al.
Një luftë e re botërore, e kompletuar me bomba bërthamore që bien mbi qytetet evropiane, dhe një katastrofë ekonomike e pariparueshme, e shkaktuar nga rritja e çmimeve të karburantit dhe ushqimit. Por a jemi të sigurt që është vërtet kështu? Ne mendojmë që jo, dhe do të përpiqemi t’ua shpjegojmë arsyen.
Së pari, pretendimi rus se janë armët perëndimore, ato që e shkaktuan këtë luftë, është një mashtrim që filloi të propagandohet më 24 shkurt. Ishte jo vetëm Putin, ai që e nisi luftën, i paprovokuar nga askush, por nëse Ukraina nuk do të ishte ndihmuar për të mbrojtur veten, ne do ta gjenim veten sot (të gjithë ne, dhe jo vetëm ukrainasit) në një situatë shumë më të rëndë.
Do ta kishim ushtrinë ruse në kufijtë lindorë të NATO-s. Nuk do të kishte më një Ukrainë. Por lufta mund të vazhdonte në çdo moment, sipas tekave të një Putini të inkurajuar tej mase nga një fitore e lehtë në truallin evropian. Sepse “Duçja” i Moskës e ka bërë të qartë, edhe pse së fundmi nuk po na i rikujton dhe aq shumë.
Ai nuk do vetëm Ukrainën, por synon rindërtimin e perandorisë sovjetike të shekullit XX-të, e plotësuar me tërheqjen e NATO-s nga Evropa Lindore. Pra me pak fjalë, Putin e donte me çdo kusht këtë luftë, ndaj armët perëndimore po përdoren që ta mos e lejojnë atë ta fitojë këtë luftë.
Dhe ta ndalosh tani dërgimin e armëve, dhe t’i japësh fund kësaj lufte sipas kushteve të Putinit, është më shumë se sa një vetëvrasje, është një idiotësi e vërtetë. Së dyti, pretendimi se fitorja e rusëve në këtë luftë është e pashmangshme, është një tjetër mashtrim i gatuar në “kuzhinën” e zyrave propagandistike të Kremlinit.
Ne duhet të kuptojmë se çfarë do të thotë fitore në këtë luftë. Është e vërtetë që Rusia po përparon dalëngadalë në Donbass, por ajo gjendet dukshëm në vështirësi. Lufta që po vazhdon prej më shumë se 4 muajsh, po rëndon tashmë gjithnjë e më shumë mbi ekonominë ruse, e cila po testohet ditë pas dite si pasojë e sanksioneve perëndimore.
Forcat e armatosura ruse po përjetojnë më shumë vështirësi sesa pritej, gjë që tregon falsitetin e imazhit që Kremlini kishte përhapur në botë, atë të një ushtrie ruse të pamposhtshme. Pikërisht këto ditë, autoritetet ruse duhet ta pranojnë se po u mbarojnë armët dhe municionet.
Kjo është aq e vërtetë, saqë Moska u detyrua të ushtronte një presion të jashtëzakonshëm mbi sistemin e prodhimit në vend, për të mbyllur disi boshllëqet e shkaktuara nga veprimet e ushtrisë ukrainase, raporton abcnews.al.
Veprime, të cilat po bëhen gjithnjë e me efektive nga furnizimet me armë perëndimore. Tani artileria ukrainase ka mundësi të godasë më fort dhe më në thellësi të prapavijës së frontit rus në Donbass dhe më gjerë; të sulmojë me sukses bazat ruse në Melitopol, në jugun e vendit të pushtuar prej muajsh.
Edhe ishulli strategjik i Gjarpërinjve është rimarrë nga Ukraina, duke e detyruar Moskën të artikulojë një gënjeshtër të turpshme, atë të një tërheqje të supozuar vullnetare, që të kujton tërheqjet e turpshme nga Kievi dhe Kharkiv disa muaj më parë.
Edhe shpërthimet e pak ditëve më parë në rajonin rus Belgorod të Rusisë, janë një kujtesë se ukrainasit kanë aftësinë për të kryer veprime efektive edhe përtej kufirit shtetëror. I pakënaqur me zhvillimet e luftës, Putin po përpiqet të përfshijë në konflikt një Bjellorusi ende ngurruese, dhe po e ndryshon për të disatën herë udhëheqjen e tij ushtarake (tani komanda duket se i është besuar gjeneralit Zhidko).
Dhe pikërisht tani, shfaqet sërish thirrja e disave në Perëndim për ta ndalur armatosjen e Ukrainës. Natyrisht, në emër të interesit të gjithë botës, dhe jo të Rusisë. Na falni, por e kemi dëgjuar edhe më parë këtë thirrje.
E vërteta është se lufta po e vë në një provë shumë të vështirë Putinin, gjë që sugjeron se propozimet për armëpushim, ai po i bën nga një pozicion dobësie, përndryshe nuk do t’i bënte kurrë. Mbi të gjitha:është e vërtetë që edhe ne në Perëndim po paguajmë një kosto shumë të lartë. Por nëse nuk e ndalojmë tani Vladimir Putinin, nesër do të jetë shumë më keq.