Forcat ruse kanë sulmuar me raketa portin e Odesës, një ditë pas marrëveshjes për nxjerrjen e grurit nga Ukraina. Ukraina e ka akuzuar Putinin se ka “pështyrë në fytyrë” OKB-në dhe Turqinë me sulmin në portin e Odesës.
Kievi ka paralajmëruar se Rusia do të mbajë përgjegjësinë nëse marrëveshja e eksportit të grurit dështon dhe u bëri thirrje Organizatës të Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë që të bëjnë presion ndaj Rusisë që të respektojë detyrimet e saj për të siguruar funksionimin e sigurt të rrugëve detare për eksportin e drithit në Detin e Zi, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Ukrainës.
“Armiku sulmoi portin tregtar të Odesas me raketa Kalibr. Dy raketa u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes kundërajrore. Dy të tjera goditën infrastrukturën e portit”, tha në një mesazh në Telegram Komanda Operative e Ukrainës.
Ndërkohë për sulmin ka reaguar edhe ambasadorja e SHBA-së në Kiev. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kiev tha se sulmi me raketa ruse në portin e Odessa ishte “i neveritshëm” dhe se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi.
“Kremlini vazhdon të përdorë ushqimin si armë. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi”, shkroi në Twitter Bridget Brink.