Kryeministri Edi Rama falënderoi sot në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Mbytjeve 1200 vrojtuesit shqiptarë të certifikuar, që kryejnë detyrën e tyre në plazhet përgjatë vijës bregdetare.
Rama u shpreh se vrojtuesit kanë rol të pazëvendësueshëm në plazhe.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Mbytjeve një falënderim për mbi 1200 vrojtuesit e certifikuar që zgjedhin këtë detyrë fisnike dhe për ndihmën e çmuar që japin çdo ditë në plazhet e gjithë vendit. Vrojtuesit shpëtojnë jetë, shmangin fatkeqësitë dhe i bëjnë pushimet tona të sigurta. Prandaj kanë rol të pazëvendësueshëm në plazhe”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i qeverisë theksoi se “bashkitë dhe bizneset turistike jo vetëm e kanë detyrim ligjor rekrutimin e vrojtuesve në plazhe, por ta konsiderojnë prioritet absolut së bashku me pushuesit që duhet të vlerësojnë punën dhe paralajmërimet e tyre”.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar në vitin 2019 gjithkush që merr në menaxhim një stacion plazhi ka detyrimin të sigurojë edhe vrojtuesin e plazhit po ashtu, së bashku me infrastrukturën përkatëse.