Sot, Kryeministri Edi Rama, doli në konferencë me gazetarët pas punimeve në Samitin e NATO-s, të zhvilluar në Madrid.

Gazetarja: Jeni gjykuar për një qëndrim të ashpër ndaj BE-së dhe madje i cilësuar si i tepërm, a mendoni se kjo mund të ndikojë në pozicioni që ka Shqipëria në rrugën drejt BE-së?

Kryeministri Rama i përgjigjet pyetjes duke thënë: “Unë e thashë, jam shumë i vetëdijshëm që ne nuk jemi perfekt, bëjmë edhe gabime dhe unë nuk bëj asnjë përjashtim nga kjo, por nëse ka një gjë që nuk kam për ta ndryshuar kurrë, për sa kohë do të jem në këtë detyrë është sensi barabartësisë në çdo tryezë që unë ulem në emër të Shqipërisë me këdo qoftë në atë tryezë, presidenti i Francës, i SHBA-së, Kryeministri i Britanisë apo Kryeministri i Luksemburgut, jemi të gjithë të barabartë.”

“Shqipëri nuk është as Amerika nuk është as Franca, Shqipëria është një vendi i vogël që ka problemet e veta, që ka peshën e vet të pakrahasueshme me peshën e shumë të tjerëve. Por dinjiteti i shqiptarëve dhe i Shqipërisë nuk është më pak i rëndësishëm sesa dinjiteti Francës dhe i francezë, apo Amerikës dhe amerikanëve, apo i Anglisë dhe anglezëve. Dhe për sa më takon, kudo që unë jam i pranishëm apo për çdo çështje që unë ka radhën e fjalë, askush nuk mund të mbajë qëndrime apo të bëjë veprime që i bie ndesh interesit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve apo qoftë edhe pa i rënë ndesh e neglizhojnë sensin e barazisë, pa marrë përgjigjen e duhur.” tha Rama.

Më tej Rama vijoi: “Unë nuk kam bërë ndonjë luftë as me BE-në as me Bullgarinë, unë thjesht kam thënë disa të vërteta, që ju siguroj janë dëgjuar me shumë respekt. Sepse po nuk respektove veten nuk të respekton tjetri dhe nëse ne nuk respektojmë ata që na japin mundësinë, që të kemi një mikrofon përpara dhe të flasim në emër të Shqipërisë dhe që janë njerëzit e këtij vendi, atëherë asnjeri nuk do të na respektojë.”

“Shqipëria ka kaluar dekada të tëra e parespektuar fare, ose më saktë e respektuar thjesht formalisht po e nënpërfaqësuar. Kjo nuk ndodh më, ne pyetemi, ne konsiderohemi, ne dëgjohemi dhe natyrisht është kënaqësi shumë e posaçme të dëgjosh presidentin e SHBA-së të flas ashtu si foli për Shqipërinë dhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.” shtoi në fund Rama.