Kryeministri Edi Rama publikoi pasditen e së dielës në rrjetet sociale fotoalbumin me momente nga aktivitetet e javës. Kryeministri Rama ndau momente nga punimet e Samitit të NATO-s që u zhvillua në fillim të javës në Madrid, Spanjë. Në kuadër të samitit, Kryeministri Rama u takua me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, i cili shprehu fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO. Rama zhvilloi takime edhe me drejtues të lartë të vendeve të ndryshme pjesëmarrës në samitin e NATO-s.

Rama mori pjesë gjatë kësaj jave edhe në konferencën për “Teknologjinë dhe Inovacionin në Bujqësi dhe Blegtori”, ku në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e kësaj konference për të përcjellë eksperiencat më të mira në fushën e bujqësisë sonë, por për të përcjellë njëkohësisht edhe të gjithë informacionin e nevojshëm për mundësitë e financimeve, bashkëpunimeve dhe sinergjive të ndryshme. Po ashtu në fotoalbum pasqyrohet edhe pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në ceremoninë e Maturës së shkollës “Sami Frashëri’, në mjediset e reja të shkollës së rindërtuar.
Pjesë e albumit është edhe dhurimi vullnetar i gjakut në Kryeministri, si një akt solidariteti njerëzor, duke iu bashkuar sloganit të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut 2022 “Bashkoni përpjekjet dhe shpëtoni jetë!”.

Në fotoalbumin e Ramës pasqyrohet edhe aktiviteti i organizuar me rastin e nisjes së punimeve për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë. Duke e konsideruar këtë park një hap të rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike të Shqipërisë, Rama tha se “ky është parku më i madh i energjisë diellore në rajon, me kapacitet 140 MGW në një sipërfaqe 198 hektarë”.

Në fotoalbumin e javës pasqyrohet edhe përurimi i aksit rrugor më të ri Kardhiq-Delvinë, që i është shtuar infrastrukturës jugore në jug të vendit. Kryeministri Rama, në përurimin e këtij aksi tha se “më datë 7 korrik do të hapet plotësisht edhe bajpasi i Vlorës, ndërsa theksoi se, do të nisë puna për “Korridorin Blu” që nis nga Murriqani dhe përfundon në Fier”. Pjesë e fotoalbumit është edhe konferenca për shtyp e Kryeministrit Rama dhe ministres për Evropën e Punët e Jashtme , Olta Xhaçka, pas samitit të NATO-s.