Kryeministri Edi Rama uroi sot 4 korrikun Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Ky 4 korrik përkon me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
“Mirëmëngjes dhe në këtë ditë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, 4 korrikun e 100- vjetorit të marrëdhënieve tona diplomatike, ju uroj një javë të mbarë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e SHBA-së në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si iNgarkuar me Punë ad interim dhe i pasuar nga ambasadori i SHBA-së Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.
Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha: “Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti [Udrou] Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”.
Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, dhe Shqipëria është bërë një nga aleatet më të palëkundura të Amerikës, sidomos në luftën globale kundër terrorizmit.