Nga Adriatik Doci
Ish gjyqtari i Apelit Vlorë, Skënder Damini, kërkoi dorëheqjen nga detyra, në nëntor të vitit 2021, vetëm 5 ditë pasi Komisioni i Vetingut i kishte dërguar rezultatet hetimit gati 3-vjeçar ndaj tij, vetëm për kriterin e pasurisë. Më 12 nëntor 2021, Komisioni i Vetingut i ka dërguar Daminit rezultatet e hetimit. Në 17 nëntor 2021, Skënder Damini ka njoftuar se kishte paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor, dorëheqjen e parevokueshme.
Ish gjyqtari, i cili ka marrë pjesë në shuarjen e dënimit me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, nuk ka pranuar që të dëgjohej në seancë dëgjimore në KPK, ndërsa ka kërkuar që procesi i Vetingut ndaj tij të pushohej. Pas dorëheqjes nga frika e përballjes me Vetingun, Komisioni i Vetingut, në 14 dhjetor 2021, vendosi të përjashtonte Skënder Daminin për 15 vite nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.
Ndërkaq, Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Shtetëror, ka hartuar një raport sekser për figurën e ish gjyqtarit Skënder Damini.
Në këtë raport thuhet se disponohen të dhëna se Skënder Damini, gjatë ushtrimit të detyrës i gjyqtarë, është përfshirë në afera korruptive dhe shpërdorim detyre. Në raport, ka një konstatim edhe më të rëndë për gjyqtarin. Sipas raportit, Skënder Damini ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës si dhe me njerëz të krimit të organizuar.
Në raportin sekser që i është dërguar Komisionit të Vetingut thuhet gjithashtu se Skënder Damini ka mbështetur aktivitetin kriminal të njerëzve të drogës dhe krimit të organizuar. Jo vetëm kaq. Në raport, thuhet se Skënder Damini ka marrë vendime në këmbim të shumave të konsiderueshme parash.
Në shkurt të vitit 2019, policia, me urdhër të prokurorisë, zhvilloi një kontroll në shtëpinë e gjyqtarit Skënder Damini, pasi bashkë me gjyqtarët Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli votuan për t’i hequr dënimin me burgim të përjetshëm Dritan Dajtit, i cili ka vrarë 5 njerëz, 4 nga të cilët punonjës policie.
Prokuroria dyshonte se tre gjyqtarët mund të kishin marrë shuma të mëdha parash në këmbim të vendimit që prodhoi reagime të shumta. Policia gjeti në banesën e ish gjyqtarit një sasi municionesh luftarake pa leje dhe 17 mijë euro të vendosura, në sirtar në vendin e rrobave. Prokuroria regjistroi një procedim penal për Danimin, por më pas kërkoi pushimin e çështjes, kërkesë që është pranuar nga gjykata./Shqiptarja.com