Nisi sot procesi i regjistrimit të fëmijëve për klasat e para, përmes platformës e-Albania. Vitin e shkuar kjo mënyrë regjistrimi u aplikua në 182 shkolla, ndërsa këtë vit po zbatohet në gjithë shkollat e vendit. Procesi nisi në 4 korrik dhe mbyllet në 17 korrik.

“Ka regjistrime të pakta sot, pasi është edhe dita e parë e regjistrimeve. Ne presim të regjistrojmë 120 fëmijë në klasën e parë, për vitin e ri shkollor, dhe shpresojmë që të gjithë ata të regjistrohen nëpërmjet sistemit e-albania. Shkolla jonë e ka përdorur sistemin e-Albania dhe vitin e shkuar, pasi ishim ndër 182 shkollat e projektit pilot. Kështu që mendoj se kemi përvojën e duhur për ta kryer siç duhet këtë proces. Në rast se një prind has në vështirësi, gjatë aplikimit në e-Albania, një fenomen ky që na ndodhi edhe vjet, atëherë stafi I shkollës dhe nëndrejtori I shkollës, që është njëkohësisht edhe administrator i procesit, janë në dispozicion për ta ndihmuar që ta përfundojë në kohë dhe më sukses regjistrimin.”- tha Gentjana Dollija, Drejtoreshë e shkollës “Androkli Kostallari”

“Prindi futet tek portal e-Albania. Në rubrikën “Arsimi” prindi përzgjedh regjistrime për klasën e parë osë për klasën e 10. Pasi identifikohet në e-albania me numër personal dhe me kodin e e-Albania/s, prindit I shfaqet formulari me të dhënat që duhet të plotësojë për të aplikuar për regjistrim. Prindi duhet të përzgjedhë qytetin ku banon, njësinë administrative, rrugën ku banon dhe më pas sistemi gjeneron vetë shkollën, ku prindi duhet të regjistrojë fëmijën. Është një proces shumë I thjeshtë, që të merr pak minuta, vetëm se prindërit nuk janë mësuar tamam me këtë proces, prandaj dhe hasin pak vështirësi. Po rata që kanë nevojë për ndihmë I drejtohen administratorit të sistemit (SMIP) që ka çdo shkollë dhe marrin prej tij ndihmën që I duhet për të përfunduar procesin e regjistrimit të fëmijës.”- tha Abi Çaça, Nëndrejtoreshë e shkollës “Androkli Kostallari”

Në 12 korrik nisin regjistrimet për klasat e dhjeta, proces që zgjat deri në 24 korrik. Në vetëm pak minuta prindi apo kujdestari ligjor regjistron fëmijën nëpërmjet portalit e-Albania, pa pasur nevojë të paraqesë dokumente shtesë, apo të mbajë radhë e të harxhojë kohë dhe energji.