“Kisha gjithçka për t’u bërë një kriminel”. Megjithatë, Richarlison de Andrade, i njohur si Richarlison, është bërë një lojtar i ri i Tottenham-it për një shifër prej 70 milionë eurosh, duke ndezur euforinë e tifozëve të Spurs, që tani kanë ëndrra të mëdha.
Richarlison nuk ka nevojë për prezantime, shifrat flasin për të. Në katër sezonet e fundit me fanellën e Everton-it, ai ka koleksionuar 152 ndeshje duke shënuar 53 gola dhe duke dhënë 14 asiste.
Paraqitje që e kanë lejuar të fitojë një vend te kombëtarja e Brazilit, me të cilën ka fituar një Kupë të Amerikës dhe një medalje të artë në Lojërat Olimpike të Tokios.
Ai ka lindur në Nova Venecia më 10 maj të 1997-ës. Është rritur te të rinjtë e Real Noroeste dhe America Mineiro. Debutimi në botën e “të mëdhenjve” ka ardhur më 4 korrik 2015-të, në fitoren 3-1 kundër Mogi Mirim ku braziliani ka treguar menjëherë talentin e tij duke shënuar golin e fundit të ndeshjes.
Pasi ka arritur ngjitjen në kategorinë kryesore, duke u dalluar si një nga të rinjtë më të mirë të kampionatit, në janarin e 2016-ës është transferuar te Fluminense, duke nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.
Vetëm gjashtë muaj më vonë ka mbetur jashtë listës së të grumbulluarve të Fluminense-s për pesë ndeshje radhazi të kampionatit, plus një ndeshje të kupës.
I papjekur dhe akoma i papërpunuar teknikisht, nuk ka arritur të bëjë për vete trajnerin Levir Culpi, i cili ka vendosur të bëjë pa të përkohësisht. Duke shkaktuar kështu pakënaqësi tek ata që pak muaj më parë kishin shpenzuar 10 milionë realë për ta marrë.
Eksperienca e tij në Brazil nuk ka zgjatur shumë. Vetëm një vit më vonë është transferuar në Premier League, te Watford për rreth 12 milionë euro. Sezoni i parë është mbyllur me 37 ndeshje, 5 gola dhe 5 asiste.
Te klubi verdhezi ka zgjatur vetëm një sezon. Më 24 korrik të 2018-ës është blerë nga Everton-i për rreth 50 milionë sterlina. Braziliani nga Nova Venecia nuk ka zhgënjyer në Liverpool: 13 gola në sezonin 2018/19, me dygolësh në debutimin kundër Wolves dhe çmimin si lojtari i ri më i mirë të fituar nga votimet e tifozëve.
Jehona e paraqitjeve të tija ka arritur deri në Spanjë, veçanërisht te Barcelona ku katalanasit duket se kanë qenë të gatshëm të bënin një çmenduri për të: 100 milionë euro ka qenë oferta e dërguar në qytetin e Liverpool-it. Por Everton-i ka rezistuar dhe e ka mbajtur yllin.
Suksesi nuk e ka bërë mendjemadh, lojtari nuk i ka harruar kurrë origjinat e tij. Në fakt, Richarlison ka dhuruar disa herë tonelata ushqime për familjet e varfra të qytetit të tij të lindjes.
Gjatë një interviste të dhënë për O’globo, ai ka zbuluar: “Në fëmijëri nuk kam patur pothuajse asgjë. Tani, papritur, mund të kem gjithçka. Për këtë arsye u jap një vlerë gjërave. Nuk dua të blej një super makinë, por të investoj tek e ardhmja dhe të ndihmoj familjen time”.
Richarlison, më pas, as që duhej të ishte bërë një futbollist. Bota e tij ishte një tjetër: rruga. Pistoleta, alkool dhe drogë, një klasike e trishtë e varfërisë. Megjithatë, ka patur një dritë në rrugën e brazilianit: futbolli.
“Shumë miqë që luanin me mua, sot janë në burg. Nuk mungonte asgjë për t’u bërë një kriminel. Por një trajner i imi, Fidel, më thoshte se kisha talent. Futbolli më ka kthyer në rrugën e duhur”.
Kur Telegraph, në muajt e tij të parë anglezë me fanellën e Watford-it, e ka pyetur nëse ndihej i frikësuar para ndeshjes me Chelsea-n, braziliani është përgjigjur me një anekdotë që i ka befasuar të gjithë:
“Kur isha në Brazil një njeri më ka drejtuar armën në fytyrë: kujtonte se isha një trafikant droge dhe se isha konkurrenca e tij. Pas atij episodi, ndeshja kundër Chelsea-t më duket më e lehtë”.
Megjithatë, më pas, ka rrëfyer se ka patur një episod që e ka emocionuar shumë: “Kur jam emocionuar me të vërtetë? Kur kam luajtur në sulm te Brazili me Neymar.
“Duke u futur në fushë kam menduar: ‘Dreqin, po luaj me Neymar’. Dhe më pas, kur kam vrapuar për ta përqafuar pas një goli, kam menduar: ‘Dreqin, po përqafoj Neymar-in’”.
Tani e pret një aventurë e re në Londër. Dyshja e formuar nga Antonio Conte dhe Fabio Paratici ka vendosur t’i besojë atij: 70 milionë euro janë derdhur në arkat e Everton-it për të siguruar shërbimet e tij.
Spurs mund të kenë ëndrra të mëdha tani falë një reparti sulmues të formuar nga lojtarë të kalibrit të Kane, Son, Richarlison, Perisic dhe Kulusevski. Mbrojtjet e Premier League, dhe jo vetëm, janë të paralajmëruara: Tottenham-i ka ndërmend të jetë protagonist sezonin e ardhshëm.