“Asnjë surprizë! Nuk shikoj se do të bëjë ndryshim thelbësor në aksionin opozitar.” Kështu e komentoi Gazment Bardhi rikthimin e Ilir Metës në politikën aktive me “Partinë e Lirisë”. Sipas Bardhit, ndryshimi i emrit nga LSI në Partia e Lirisë nuk do të ketë ndikim në frymën opozitare që supozon Meta të sjellë pasi mungon në vend.
“Nuk ka asnjë surprizë në rikthimin në politikën active të Metës. Vetë e kishte njoftuar se pas përfundimit të mandatit si President do ti kthehej jetës aktive politike. Nuk shikoj që të paktën sa i përket aksionit opozitar, të ketë ndonjë ndryshim thelbësor.
Në intevistën në Report Tv në emisionin “Studio Live” nga Arbër Hitaj, Bardhi tha se LSI nuk ka qenë asnjëherë parti e theksuar majtas dhe kjo sipas tij u vërtetua në zgjedhjet e 25 prillit kur nuk pranoi koalicionin me PD, por bëri të kundërtën e asaj që thoshte. Në vend që të trokiste në dyert e të zhgënjyerve nga PS, shkoi tek ata të PD, pretendon Bardhi.
“Nuk ka qenë ndonjëherë e theksuar majtas LSI. Është krijuar në 2004 si degë e PS, por pas 2009 kur ishte në koalicion me PD, gjthmonë target i saj nuk ka qenë dobësimi i Ramës por i PD dhe gjithmonë ka synuar elektorat të PD. Kjo është vërejtur edhe në zgjedhjet efundit, dhe pse kishte tendencë për të dalë me dy lista të vecanta me arsyetimin politik se do të merrnin vota të socialistëve të zhgënjyer. Ajo që u pa në terren ishte se trokiste për të marrë votën tek demokratët”, tha Bardhi.
Sa i përket akuzave të Metës për Bashën që e cilësoi si tradhtar të kauzës opozitare dhe të blerë nga Rama, Bardhi thotë se PD ka kërkuar gjithmonë që t’i përgjigjej me aksion aktit të qeverisë që prishi marrëveshjen e 5 qershorit.
“Është përgjegjësi i Edi Ramës realizimi i një masakre zgjedhore më 25 prill, por s ai përket formacionit opozitar, janë përpjekjet e Bashës për të pasur koalicion të sinqertë me LSI. Ka patur diskutime të vazhdueshme që koalicioni do të maksimizonte votën nëse do ishim në listë të përbashkët dhe ka pasur refuzim të vazhdueshëm nga LSI. Dëgjova Metën që tha se kishte sugjeruar lëvizje popullore pas prishjes së marrëveshjes së 5 qershorit. Kjo është e pavërtetë se PD ka kërkuar që t’i përgjigjeshim me aksion opozitar atij akti të qeverisë që prishi marrëveshjen dhe ka qenë deklarata publike e LSI se nga prishja e marrëveshjes, LSI do të fuqizohej”, tha Bardhi.
Me tone nacionaliste, duke folur për një mision për të shpëtuar Kosovën, pavarësinë e saj dhe sovranitetin e Shqipërisë por edhe me një ‘pagëzim’ të ri si ‘për të larë mëkatët’ Ilir Meta nisi zyrtarisht rrugëtimin e tij të ri në politikën shqiptare. Pas ndryshimit të neneve në statut ku LSI i dha të drejtë vetes që të ndryshojë emrin, vulën dhe simbolet e partisë, Partia e Lirisë do të drejtohet nga një Komitet Organizator, me në krye Ilir Metën, derisa sipas statutit të zhvillohen zgjedhjet që ta ngjisin zyrtarisht ish presidentin në krye të saj.