Kanë kaluar 4 vjet që kur Kristiano Ronaldo është larguar nga Reali i Madridit. Por emri i tij ka nisur të qarkullojë sërish në rrugët dhe baret e kryeqytetit spanjoll. Në ditët e fundit është folur shumë për një transferim të tij tek Atletiko e Madridit. Portugezi ka refuzuar t’i bashkohet Mançester Junajtidit dhe duket i vendosur për të lënë “Djajtë e Kuq” dhe për të provuar një aventurë të re në Europë. Është folur shumë për Bajernin, Çelsin e PSGnë. Por klubi i ardhshëm i tij mund të jetë Atletiko e Madridit.
Arsyet janë të ndryshme, por lajmi se CR7-ta mund të bashkohet me skuadrën e Diego Simeones ka sjellë reagime të shumta në pjesën tjetër të Madridit. Madje, reagimet kanë ardhur që nga Los Anxhelosi, atje ku Reali është grumbulluar për një turne amerikan. Në ditën e dytë të përgatitjeve në qytetin e madh të Kalifornisë, protagonist është bërë presidenti i Madridit, Florentino Perez.
Prania e tij nuk ka kaluar pa u vënë re nga tifozët e Realit në SHBA. Përtej ovacioneve dhe inkurajimit për të fituar sërish Ligën e Kampioneve, ata janë ndalur dhe te Ronaldo. Teksa Perez po firmoste disa autografe, shumë prej tyre i kanë kërkuar presidentit të kthejë sërish në “Bernabeu” yllin portugez. “Ju lutemi president, na ktheni sërish Ronaldon”. Por shumë më i drejtpërdrejtë një tjetër tifoz i Realit, i cili i ka bërë një lutje të veçantë numrit një të “Los Blancos”. “President bëj diçka. Bëj të pamundurën që Ronaldo të mos shkojë tek Atletiko” ka qenë lutja e tij.