Tetë ukrainasit që humbën jetën pas rënies së avionit me municione në Greqi, ishin të moshës ndërmjet 35 dhe 50 vjeç.
Lëndime të rënda trupore me fraktura dërrmuese dhe këputje të organeve të shumta janë konstatuar te tetë anëtarët e ekuipazhit të avioni “Antonov” që u rrëzua mbrëmjen e së shtunës në fushat pranë Paleochorit të Kavallës.
Siç ka rezultuar nga autopsia e cila ka përfunduar mesditën e sotme në Shërbimin Mjekësor Ligjor të Thrakisë, personat kanë lëndime të rënda fizike me fraktura dërrmuese në kafkë, gjoks, gjymtyrë të sipërme dhe të poshtme, bark dhe brinjë, ndërsa dëmtim tw mushkërive dhe organeve të brendshme. Në të njëjtën kohë, anëtarët e ekuipazhit kishin hemorragji të brendshme.
Siç raporton për Voria.gr mjeku ligjor i Thrakisë, Nikolaos Kifnidis, i cili mori përsipër autopsitë, bëhet fjalë për burra me origjinë ukrainase me një grup moshe nga 35 deri në 50 vjeç. Trupat ishin të padjegur pasi u hodhën nga avioni para se të shpërthente në flakë, ndërsa lëndimet e tyre ishin të ngjashme për të gjithë.
Tani priten testet toksikologjike, si zakonisht, për sasi të alkoolit apo drogave që mund të jenë marrë, ndërsa shenjat e gishtave dhe mostrat e indeve janë marrë tashmë për analizat e ADN-së, të cilat pritet të përfundojnë sw shpejti në laboratorët e Selanikut.
Konsullata e Ukrainës ka marrë përsipër kthimin e trupave në vendlindje, sapo të jepet drita jeshile nga autoritetet. Kujtohet se që sot është vendosur një dron i ushtrisë, për të hartuar zonën ku u rrëzua avioni Antonov, në afërsi të Kavallës, me qëllim lokalizimin e predhave të shpërndara nga ngarkesa e avionit.
Që nga shpërthimi i fuqishëm, predha janë hedhur në një rreze prej më shumë se 500 metrash në fusha. Ka frikë se disa prej tyre janë mbuluar me dhe, çfarë bën që të mos duken.
Komuna e Pangaio-s ka lëshuar dje një deklaratë ku u bën thirrje qytetarëve që lëvizin në zonën përreth vendit ku ndodhi rrëzimi i avionit nëse dallojnë municione të njoftojnë menjëherë autoritetet.
Në të njëjtën kohë, Athina ka shkuar dje në një marsh të dyfishtë proteste si në Serbi ashtu edhe në Ukrainë, duke kërkuar shpjegim për faktin se autoritetet greke nuk ishin informuar për ngarkesën e rrezikshme të transportuar nga Antonov.
Me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, fillimisht ambasadori i Greqisë në Beograd dhe pak orë më vonë, sekretari i përgjithshëm i ministrisë pranë ambasadorit të Ukrainës në Athinë, kërkuan shpjegim për mungesën e informacionit të palës greke, për natyrën e ngarkesës së avionit.