Pogradec, 23 Korrik – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra shëndetësore verore Pogradec, ku deklaroi se vaksinimi anticovid do të kryhet edhe në qendrat e përkohëshme verore, ka bërë apel për të gjithë qytetarët, sidomos për të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike, që të kryejnë dozën përforcuese të vaksinës.
“Jemi në një situatë që kemi një rritje të rasteve pozitive. Jemi mbi 9 mijë qytetarë aktivë, pra që do të thotë që kanë simptoma të virusit dhe numri në spital është rreth 30 pacientë të shtruar. Kjo do të thotë që kemi edhe një rritje të simptomave l, të cilat më pas çojnë edhe në agravimin e situatës shëndetësore, duke kërkuar hospitalizim. Është shumë e rëndësishme sidomos në momentin që jemi duke kaluar por edhe për të pararendur çfarë mund të vijë në një periudhë të shpejtë, në vjeshtë -duke qenë se priten dhe sub variante të reja, të cilat mund të çojnë sërish një rritje të infeksionit të covid- të vijojmë vaksinimin me intensitet. Është e rëndësishme sidomos për ata të cilët kanë sëmundje bashkëshoqëruese, për moshat e treta, për të bërë dozën e tretë, dozën e katërt të vaksinës, si një dozë përforcuese që rrit kujtesën imunitare. Dhe kjo besoj që është në momentin e duhur”, tha Manastirliu.
Gjatë vizitës në qendrën shëndetësore verore në qytetin e pogradecit, Ministrja Manastirliu bëri me dije se pushuesit kanë përfituar rreth 15 mijë shërbime të kujdesit shëndetësor në 29 qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin.
“Janë më shumë se 1 mijë pushues, të cilët kanë marrë shërbime në këtë qendër verore në Pogradec përgjatë periudhës 15 qershor deri më sot. Ndërkohë që në të gjithë vendin, në 29 qendrat shëndetësore verore nga veriu në jug, ne kemi ofruar më shumë se 15 mijë shërbime të kujdesit shëndetësor për pushuesit dhe turistët, nga të cilët, katër mijë janë turistë të huaj që kanë marrë shërbime në këto qendra”, tha Manastirliu.
Janë 29 qendra shëndetësore verore me shërbim 24 orë në 7 ditë të javës, të hapura në të gjithë vendin, nga veriu në jug, nga zonat turistike malore dhe në bregdet përgjatë sezonit turistik veror gjatë periudhës 15 qershor–15 shtator. Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore verore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.
Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i Vjetër dhe Ksamil i Ri.