Rusia po përgatitet për fazën e re të ofensivës së saj në Ukrainë, tha një zyrtar i ushtrisë ukrainase, pasi Moska udhëzoi trupat e saj që të rrisin operacionet ushtarake.

“Nuk janë vetëm sulmet me raketa nga ajri dhe deti”, tha Vadym Skibitskiy, zëdhënës i inteligjencës ushtarake ukrainase.

“Ne po shohim bombardime përgjatë gjithë linjës së kontaktit dhe në mbarë vijën e frontit. Ka përdorim aktiv të taktikave të aviacionit dhe sulmeve me helikopterë. Po ashtu ka aktivizim të armikut në gjithë frontin e luftës. Qartësisht, përgatitjet po bëhen për fazën e re të ofensivës”, tha ai më 16 korrik.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 17 korrik se trupat ukrainase kanë zmbrapsur përpjekjet ruse për të përparuar drejt Sllovijanskut, një bastion kyç ukrainas në Donjeck, por edhe sulme të tjera në mbarë këtë rajon që gjendet në lindje të Ukrainës, shkruan REL.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 17 korrik se Rusia po përforcon pozicionet e saj mbrojtëse në gjitha territoret e pushtuara në jug të Ukrainës.

“Kjo përfshin edhe lëvizjen e fuqisë njerëzore, pajisjeve dhe depove mbrojtëse midis Mariupolit, Zaporizhjas dhe Hersonit”, tha kjo ministri, duke shtuar se forcat ruse në Melitopol po ashtu kanë rritur masat e sigurisë.

Më 16 korrik, Moska njoftoi se do të rrisë operacionet e saj ushtarake në Ukrainë.