Sa mund të ndikojë konflikti i Ukrainës në Ballkanin Perëndimor? Si paraqitet gjendja e sigurisë në Ballkan, a ka rrezik kofliktesh të reja? Ish-komandanti i KFOR-t, gjenerali Erhard Bühler u përgjigjet pyetjeve për DW .

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Bühler, në Ballkanin Perëndimor ka ende shumë çështje të pazgjidhura: Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, Republika Srpska përmend shpesh shkëputjen nga Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut në rrugën e nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE, ndërkohë që Mali i Zi është futur në një lloj krize të përhershme të pushtetit, e ka pasur edhe akuza për përzierjen e faktorve nga jashtë. Si ish-komandant i KFOR-it në Kosovë, a keni frikë nga një e ashtuquajtura fuçi tjetër baruti në Ballkan?
Erhard Bühler: Jo nuk kam frikë dhe nuk shoh ndonjë rrezik akut për një skenar të këtillë. Por ju me të drejtë përmendët shumë probleme dhe çështje të hapura, të cilat ende ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst edhe unë kam shqetësimet e mia se si do të zhvillohen gjërat në shtigje afatmesme dhe afatgjata, në veçanti tani nga perspektiva e krizës në Ukrainë dhe shtimit të influencës së disa shteteve të jashtme në këtë rajon.
DW: Pikërisht këtë desha t’ju pyes: A mund të ketë agresioni rus në Ukrainë pasoja edhe për Ballkanin Perëndimor, sepse dihet që Serbia dhe në veçanti serbët e Bosnjë-Hercegovinës llogariten ndër partnerët më të ngushtë të Rusisë, e Rusia me siguri që mund të jetë e interesuar për hapjen e vatrave të reja të krizës?
Erhard Bühler: Siç thashë, një rrezik akut për konflikte të reja atje nuk shoh. Por në të kaluarën kemi përjetuar që nën hijen e konflikteve të mëdha, papritur shpërthejnë edhe konfliktet e ngrira. Këtu duhet të kemi parasysh edhe raportet e ngushta mes Rusisë dhe Serbisë, ndaj mendoj se jo vetëm Gjermania por e gjithë Evropa, duhet të kujdesemi në mënyrë shumë më intensive për Ballkanin Perëndimor. Gjermania është duke bërë shumë në këtë drejtim dhe ajo ka qëndrime të qarta, të cilat i kanë shprehur edhe kancelari, ministrja e Jashtme dhe e gjithë qeveria. Por kjo nuk mjafton. Ne duhet t’i bindim edhe partnerët tanë evropianë se është në interesin tonë strategjik, që BP t’i ofrojmë një perspektivë të qartë evropiane. Në këtë kontektst, më duhet të them se për mua ka qenë një zhgënjim i madh samiti i fundit i Bashkimit Evropian, sepse në njërën anë thuhet se BP ka një perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE, ndërsa në anën tjetër nuk po ndërmerren hapa konkretë me vite të tëra. Shpresoj se në javët dhe muajt e ardhshëm do të arrihen marrëveshje dhe se pas këtij samiti shumë shpejt do të kemi masa konkrete për afrimin e BP me BE.
DW: Samiti i fundit i BE ka qenë një zhgënjim i madh jo vetëm për ju por për të gjithë vendet e BP, sepse në këtë samit nuk pati asnjë rezultat konkret. Sa mund të ndikojë kjo në zbehjen e idesë evropiane tek popujt e Ballkanit, sepse e ashtuquajtura perspektivë e anëtarësimit është dhënë para gati 20 vitesh, por kjo nuk është shoqëruar me hapa të rëndësishëm konkretë?
Erhard Bühler: Me Ballkanin Perëndimor unë merrem gati aq kohë sa janë dhënë edhe premtimet e para. Shpesh kam qenë në misione të ndryshme atje dhe pikërisht kjo është përshtypja ime. Të marrim shembull Kosovën: Përfaqësuesit evropianë kanë ardhur e shkuar dhe gjithmonë kanë dhënë premtime. Është premtuar edhe liberalizimi i vizave, e kur flasim për liberalizimin e vizave duhet ta dimë se kjo nuk nënkupton lirinë e qasjes në tregun e punës, por vetëm lirinë e lëvizjes për tre muaj në territorin e BE, ndërsa pas tre muajve ata duhet të largohen prapë. Liberalizimi i vizave është pra vetëm hapi i parë i cili është bërë me shumë e shumë shtete të tjera, por jo me Kosovën. Në Kosovë dhe në vendet e tjera shoh një entuziazëm të madh për BE, në veçanti tek gjeneratat e reja. Por mosveprimi mund të kthehet si bumerang ndaj kësaj ideje. Kjo mund të shtojë zhgënjimin dhe forcimin e nacionalizmave në këto vende, e që mund të rezultojë me shpërthimin e konflikteve latente dhe të ngrira.
DW: Si mund të shpjegohet hezitimi i Francës dhe i disa vendeve të tjera ndaj liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, kur dihet se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara?
Erhard Bühler: Këtë nuk mund ta shpjegoë as unë, e askush deri më sot nuk e ka thënë publikisht se cilat janë shkaqet e këtij hezitimi. Ekziston edhe problemi tjetër, ai i mosnjohjes së Kosovës nga pesë vende të BE dhe katër vende të NATO-s. Kjo mosnjohje e Kosovës nga këto vende mund të shpjegohet mbase me problemet e brendshme politike apo dhe problemt që kanë këto vende me minoritetet e tyre. Por tek çështja e liberalizimit të vizave nuk ka vërtetë kurrfarë shpjegimi.
Flash-Galerie Bundeswehr-Einsätze 2010
DW: Zoti gjeneral, pasi e përmendët NATO-n: Sa reale janë kërkesat e Kosovës për afrim dhe anëtarësim në NATO?
Bühler: Kjo është një rrugë e gjatë dhe varet nga trasnformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zhvillimi i saj drejt një ushtrie, që parashikohet edhe me ligjet e Kosovës. Këtu duhet të kryhen edhe shumë punë në rrafshin strategjik. Sa i përket FSK-së, ajo është shndërruar në një trupë të shkëlqyeshme, por ajo duhet të vendoset në bazat e duhura koncepcionale, të ketë strategjinë e duhur ushtarake dhe të bëhet kompatibël me forcat e NATO-s. Këtu duhet të bëhen edhe disa hapa të tjerë, në radhë të parë sa i përket funksionimit multilateral. Por mendoj se Kosova shpejt do të mund të integrohej në programin Partneritet për Paqe. Por edhe këtu problemi kryesor është që me këtë vendim duhet të dakordohen të gjitha vendet anëtare, pra edhe katër vendet e NATO-s, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe këtu kërkohet një angazhim më i madh për të bindur këto vende se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor dhe i Kosovës në NATO është në interesin tonë strategjik.
DW: Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në Kosovë, në veçanti në veri të Kosovës, dhe a është kontigjenti i tanishëm i KFOR-it në gjendje të mbrojë Kosovën në rast të një sulmi nga jashtë?
Erhard Bühler: Unë nuk shoh rrezik të ndonjë sulmi nga jashtë. KFOR-iështë garant për këtë e pas KFOR-it qëndron NATO-ja. Trupat e KFOR-it janë zvogluar shumë kohët e fundit. Kështu edhe duhet, sepse nuk ka nevojë që atje të qëndrojnë mijëra e mijëra ushtarë të NATO-s. Kjo nuk do të ishte mirë as për imazhin e kosovës, e nuk do të ishte në përputhje as me gjendjen aktuale të sigurisë atje. Por në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, trupat eNATO-s janë të gatshme për ta evituar këtë.
DW: Jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe në vende të tjera të rajonit është shikuar me shqetësim armatimi i Serbisë me armë ruse dhe kineze. Si e shihni ju këtë çështje?
Erhard Bühler: Armatimi i një ushtrie është e drejtë legjitime e secilit vend, pra edhe Serbisë. Serbia nuk ka blerë vetëm armë ruse por edhe perëndimore. Para pak kohësh ajo ka blerë edhe helikopterë të cilët janë dërguar nga Gjermania. Por vendimtare është dëshira për përdorimin e këtyre armëve, e unë nuk e shoh këtë rrezik. Megjithatë shihet shumë qartë një retorikë agresive e politikanëve përgjegjës në Serbi, të cilat kërcënojnë me përdorimin e forcave ushtarake. Kjo shkakton frikë tek njerëzit dhe kjo retorikë agresive futet pastaj edhe në debate publike, ndonëse unë nuk mendoj se këtu ekziston ndonjë qëllim për përdorimin e këtre armëve. Megjithatë të gjithë duhet ta evitojnë këtë retorikë agresive, që ka për synim përfitimet e brendshme politike. Kjo nuk duhet të përdoret, por po përdoret.
DW: Pikërisht këtu qëndron problemi, sepse kombinimi i kësaj retorike agresive, e cila së fundmi është dëgjuar edhe nga vetë presidenti i Serbisë Vuçiq, si dhe blerja e armëve, shkakton frikë tek njerëzit dhe vendet e tjera në rajon. Ju nuk keni frikë nga përdorimi i këtyre armëve?
Erhard Bühler: Jo, siç e thash, nuk kam frikë. Por fakt është që kjo nxitëfrikën tek qytetarët. Kjo i ashpërson çështjet e pazgjidhura dhe nuk i kontribuon pajtimit. E pajtimi duhet të ndodhë, sepse nga konfliktet në ish-Jugosllavi kanë kaluar më shumë se 20 vite. Pajtimi është në interesin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në radhë të parë për Serbinë. Pajtimi duhet të jetë pra edhe interesin e Serbisë, në interesin e mirëqenjes së njerëzve në Serbi. Mungesa e stabilitetit nuk guxon të kthehet në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo i hap rrugën nacionalistëve ekstremistë, e që në rastet ekstreme mund të rezultojë edhe me konflikte të reja të hapura.
DW: Stabilitetit të qëndrueshëm me siguri që nuk i kontribuon as mosvendosmëria e BE për hapa konkretë, siç janë për shembull hapja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE apo intensifikimi i dialogut dhe zgjidhja e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. A mund të bëjë Gjermania edhe më shumë në këtë drejtim?
Erhard Bühler: Gjermania është duke bërë shumë, është përcaktuar shumë qartë dhe gjatë udhëtimeve të kancelarit dhe ministrtes së Jashtme në BP. Gjermania duhet të përpiqet t’i bindë vendet e BE dhe NATO-s se qëndrimet e saj janë të duhura dhe këtë po e bën. Është në interesin strategjik që BP të mos harrohet dhe që ai të integrohet gradualisht në BE. Ju e përmendët Maqedoninë e Veiut: Bullgaria dhe shumë vende të tjera duhet ta dinë se ato janë pranuar në BE ndonëse nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet e parapara. Por në këto raste i është dhënë përparësi interesave strategjike dhe kjo është e drejtë.
DW: Si i vlerësoni proceset në Hagë kundër ish-krerëve të ish-UÇK, të cilët akuzohen për krime lufte? Po ju pyes, sepse Ju keni qenë edhe komandant i KFOR-it dhe me siguri keni pasur në duar shumë dokumente të rëndësishme. A keni pasur në kohën sa keni qenë në Kosovë njohuri për krimet për të cilat akuzohen ish-presidenti Thaçi dhe të tjerët nga gjykata na Hagë?
Erhard Bühler: Jo. Në kohën sa kam qenë unë komandat është publikuar raporti i zviceranit Dick Marty (shpjegim redaksional: Ish-krerët e ish-UÇK akuzohen në Raportin e eurodeputetit Dick Marty për krime dhe tregti me organe njerëzore). Natyrisht që ne i kemi shikuar të gjitha arkivat dhe kemi bërë përpjekje që të gjejmë dëshmi konkrete për këto akuza, por nuk kemi gjetur. Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi për këto pohime. Unë i njoh tre prej tyre dhe gjithmonë nisem nga parimi, se secili njeri është i pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Natyrisht që ne e kemi përcjellë edhe të gjithë debatin për këtë çështje dhe shpreh keqardhje për zgjatjen kaq të madhe të proceseve. Është për të ardhur keq edhe fakti që provat kanë qenë kaq të pakta në fillim të procesit, sa që tani prokuroria po detyrohet të bëjë hetime të tjera të shumta pas publikimit të aktakuzës së parë.
Gjenerali Erhard Bühler ka lindur në vitin1956 in Aichach. Ndër të tjera ai ka qenë edhe komandant i trupave gjermane në Kosovë e më pas edhe komandant i KFOR-it. Prej vitit 2019 deri në prill të vitit 2020 ka qenë edhe komandant i Allied Joint Forces Command të NATOS në Brunssum. Ai vlerësohet si një prej njohësve më të mirë të gjendjes së sigurisë jo vetëm në Ballkan e Evropë, por edhe më gjerë. Ndërkohë gjenerali Erhard Bühler është zgjedhur edhe President i Shoqatës përmbledhëse të shoqatave gjermano-shqiptare në Gjermani./DW