Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ka sekuestruar 147 kg qese plastike njëpërdorimshme.

Ata i vendosën masë administrative 500,000 (pesëqind mijë) lekë ndaj subjektit që i posedonte.

Pas vendimit që hyri në fuqi më 1 qershor të gjitha qeset të cilat janë jashtë standardit të caktuar në ligj, do të hiqen nga tregu.

Sipas Këshillit të Ministrave kush kapet me qese njëpërdorimshme do të gjobitet me 500 mijë lek gjobë dhe do t’i sekuestrohet i gjithë malli.

Njoftimi:

ISHMT bllokon 147 kg qese plastike, në kuadër të nismës për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) në vijim të kontrolleve për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.367/2022 “Për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse dhe qeseve oxo-degradueshme dhe oxo-bio të degradueshme”, bllokoi 147 kg qese plastike me trashësi më të hollë se 70 mikron. Inspektorët e ISHMT-së sekuestruan të gjithë sasinë e këtij malli, si dhe vendosën masë administrative 500,000 (pesëqind mijë) lekë ndaj subjektit.
ISHMT, si institucion zbatues i nismës së qeverisë për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi iu bën apel të gjitha subjekteve të zbatojnë detyrimet ligjore që rrjedhin nga zbatimi i kësaj VKM-je, pasi kontrollet do të intensifikohen në të gjithë territorin e vendit.
Ky vendim përcakton se operatorët ekonomikë, që prej datës 1 Qershor, ndalohen të përdorin ose ofrojnë qese plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi (pa përfshirë gjerësinë e palosjeve) me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron. Ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike njëpërdorimshme, parashikojnë penalitete në rast mosrespektimi të kësaj VKM-je.
Në rastet kur subjektet nuk respektojnë kërkesat e përcaktuara në vendim, ISHMT ndalon tregtimin e qeseve plastike, procedon me sekuestrimin dhe marrjen e masave përkatëse.
Referuar vendimit, çdo person që hedh në treg, prodhon, importon ose fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme, dënohet me gjobë në vlerën 500,000 (pesëqind mijë) lekë dhe sekuestrimin e qeseve plastike të ndaluara.
Në rast se konstatohet se subjekti është gjobitur dhe më parë, dhe shkelja e tij përsëritet masa ndëshkimore me gjobë 3-fishohet, i sekuestrohet malli dhe mund të shkohet deri në revokimin e lejes/licencës së prodhimit.