Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rruga Shëngjin-Velipojë, një premtim i qeverive prej 30 vitesh po bëhet realitet.

Gjatë takimit mbi bilancet e qeverisjes vendore me kryetarët e bashkive, që po mbahet për të dytën ditë radhazi në Pogradec, Rama tha se dy investimet më të mëdha që po zhvillohen aktualisht janë në Kukës dhe Lezhë, e konkretisht rruga Shëngjin-Velipojë dhe ura e Drinit.

“Shëngjini po lidhet me Velipojën dhe do të lidhet edhe me Malin e Zi. Rruga Shëngjin-Velipojë, një premtim i 30 viteve do të ndërtohet nga qeverisja qendrore dhe vendore”, tha Rama.

Lidhur me Kukësin, Rama e vlerësoi si një projekt të rëndësishëm, Urën e Drinit, ndërsa theksoi se nuk do të ketë impakt negativ për qytetin.

“Në Kukës dhe Vlorë futeshe fshehurazi. Qytetet xhepe janë. Edhe në Shkodër dëgjoja që thonin se ura që do të ndërtohet për të lidhur Velipojën me Ulqinin do të nxirrte jashtë loje Shkodrën. Por nuk qëndron kështu. Faktikisht këto vepra rrisin ekonominë e qyteteteve. Duhet menduar projekte për të bërë këto qytete atraktive, për të bërë turistët të vijnë“, tha Rama.