Ushtria e Ukrainës ka deklaruar se shkatërroi një depo me municione ruse në në qytetin jugor Nova Kakhovka, duke vrarë dhjetëra ushtarë. Në sulm raportohet se kanë përdorura raketa, me të cilat janë furnizuar nga SHBA-të.

Megjithatë zyrtarët rusë thonë se janë goditur disa banesa dhe magazina. Sipas tyre kanë humbur jetën 5 persona dhe janë plagosur 80 të tjerë. Por shkalla e dëmeve dhe numri i viktimave nuk është ende i qartë.

Pamje nga momenti i shpërthimit janë publikuar në rrjetet sociale. Këshilltari presidencial ukrainas, Mikhaylo Podolyak tha se është përdorur raketa Himars, e siguruar nga SHBA-të. Himars është shumë më i saktë se sistemet ekuivalente të Rusisë dhe tashmë po përdoret në një varg sulmesh të fundit në territoret e kontrolluara nga Rusia.

Zona të mëdha të rajonit jugor të Khersonit u morën nga rusët në javët e para të pushtimit, por forcat ukrainase kanë nisur një kundërofensivë ndërsa Kremlini është fokusuar lindje të Ukrainës.

Kievi u ka kërkuar banorëve të largohen nga zona për t’i shpëtuar kundërsulmit. Vladimir Leontyev, i cili u vu në krye të rajonit Kherson, tha për agjencinë ruse të lajmeve Tass se dhjetëra banorë kishin mbetur të pastrehë dhe qyteti ishte dëmtuar ndjeshëm.

Një tjetër zyrtar i mbështetur nga Rusia, Kirill Stremousov, tha se shtatë persona janë ende në listën e të zhdukurve.

Ndërkohë zyrtarët ukrainas pretendojnë se më shumë se 50 ushtarë rusë janë vrarë dhe janë shkatërruar pajisje ushtarake.