Euro e ka nisur javën me një rekord të ri në rënie në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 117.57 Lekë, në rënie me 0.5 Lekë të tjera nga niveli që kishte mbyllur javën e kaluar. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se rënia e Euros është e lidhur tashmë me prurjet e larta të lidhura me sezonin veror.

Për pesë muajt e parë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri u rritën me 55% dhe tejkaluan madje edhe shifrat e regjistruara në periudhën e para pandemisë, në vitin 2019.

Pritshmëritë e subjekteve të lidhura me turizmin edhe për sezonin veror janë shumë të larta dhe me shumë të ngjarë turizmi hyrës këtë vit pritet të regjistrojë nivelet më të larta historike. Veç rritjes së numrit të turistëve, një ndikim në shtimin e prurjeve valutore hyrëse po jep edhe rritja e ndjeshme e çmimeve që po aplikojnë këtë vit bizneset e sektorit të turizmit.

Edhe ecuria e eksporteve këtë vit paraqitet mjaft pozitive, me një rritje vjetore prej 46% për pesëmujorin janar-maj. Eksportet po nxiten nga rritja e çmimeve, sidomos në segmentin e mineraleve, metaleve dhe materialeve të ndërtimit.

Deficiti tregtar është rritur me 9% krahasuar me një vit më parë, por vlerësohet se përmirësimi i bilancit në tregtinë e shërbimeve e ka balancuar këtë efekt. Deri në fund të tremujorit të parë të vitit, statistikat tregojnë se deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 22% me bazë vjetore.

Tendencë e vazhdueshme e konstatuar nga bankat janë gjithashtu prurjet e larta të Paundit Britanik nga pikat e këmbimit valutor. Edhe prurjet në Paund në mënyrë të tërthortë ndikojnë në zhvlerësimin e mëtejshëm të Euros, sepse ajo është valuta e huaj referuese për ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar, ndaj edhe bankat i mbajnë pozicionet e tyre valutore kryesisht në këtë monedhë.