Shtëpia e Bardhë kritikoi kërkesat e shtuara nga Rusia ndaj propozimit amerikan për të shkëmbyer basketbollisten Brittney Griner dhe ish-marinsin Paul Whelan, duke thënë se Moska po përdor truke për të shmangur ofertën amerikane. Sipas mediave amerikane, Rusia ka kërkuar që në këtë propozim të përfshihet edhe shkëmbimi i një vrasësi të dënuar në Gjermani.
Përpjekjet për të sjellë shtetasit amerikanë Britney Griner dhe Paul Whelan, që po mbahen në burgjet ruse, duket se po ndeshin në një bllokadë.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një propozim të zyrtarëve rusë për të shtuar një tjetër të burgosur në shkëmbimin e propozuar – Vadim Krasikovin.
Ky i fundit është dënuar nga autoritetet gjermane për vrasje.
Shtëpia e Bardhë u shpreh se “të mbash peng dy amerikanë që mbahen në mënyrë të kundraligjshme, për një vrasës që gjendet në një vend të tretë, nuk është një ofertë serioze”.
Deklarata erdhi pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken bisedoi me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov për arritjen e një marrëveshjeje.
“Patëm një bisedë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. I kërkova Kremlinit të pranojë propozimin e rëndësishëm që u kemi paraqitur”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Sipas burimeve të medias amerikane, propozimi është që zonja Griner dhe zoti Whelan të shkëmbehen me trafikantin rus të armëve Viktor Bout, i cili ndodhet në një burg amerikan.
Pas telefonatës, Sekretari Blinken nuk dha shumë detaje për reagimin e palës ruse.
“Zoti Blinken u tregua shumë i qartë. U tha gjithashtu se nuk ka ndonjë iluzion dhe se presim që bisedimet dhe negociatat të vazhdojn딸 tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Por, Moska thotë se zoti Lavrov kërkoi që Shtetet e Bashkuara t’i rikthehen të ashtuquajturës “diplomaci e butë”, apo negociatave të fshehta, pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se kishte paraqitur një propozim.
Deri në arritjen e një marrëveshjeje, familja e Paul Whelan-it nguron të flasë me tone festive. Vëllai i tij, David, tha për median amerikane se “nuk pret të shohë ndonjë lëvizje për disa muaj, ose të paktën derisa të përmbyllet çështja e zonjës Griner”.