Prej ditësh disa shtete evropiane po përballen me zjarre të fuqishme. Për këtë që prej datës 1 korrik Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian bëri gati flotën e avionëve zjarrfikës, për t’ju përgjigjur emergjencave.
Të pozicionuar në Kroaci, Francë, Greqi, Itali, Spanjë dhe Suedi, 12 aeroplanë zjarrfikës dhe 1 helikopter zjarrfikës janë gati për t’u vendosur në dispozicion të vendeve që kërkojnë ndërhyrje nga ajri për zjarre të përmasave të mëdha.
Portugalia që po lufton me zjarret e mëdha në pjesën qendrore të vendit ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së për të kërkuar ndihmë emergjente. Për t’i ardhur në ndihmë Komisioni Evropian ka mobilizuar 2 aeroplanë zjarrfikës nga flota e tij, e pozicionuar në Spanjë. Që nga viti 2016, Portugalia ka kërkuar gjashtë herë ndihmë në lidhje me zjarret në pyje përmes Mekanizmit.
Më shumë se 200 zjarrfikës dhe pajisje teknike nga Bullgaria, Finlanda, Franca, Gjermania, Rumania dhe Norvegjia janë pozicionuar për mbështetje të menjëhershme në rast zjarresh në Greqi. Që nga viti 2016 Greqia ka kërkuar 4 herë ndihmën e Mekanizmin në raste zjarresh.
Që nga krijimi i tij në 2001, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së i është përgjigjur mbi 600 kërkesave për ndihmë brenda dhe jashtë BE-së.