Ditët e fundit, në Shqipëri ka pasur një rritje të rasteve të reja me koronavirus.
Epidemiologu, Ilir Alimehmeti tha për “Euronews Albania”, se kemi të bëjmë me një valë të re, për shkak të një varianti të Omicron.
Sipas tij, edhe pse ka rritje, ky variant nuk shkakton forma të rënda dhe humbje jetësh.
“Është një valë e re e cila nuk ishte krejtësisht e paparalajmëruar. Kemi të bëjmë me një variant të Omicron, njihet si BA5. Filloi në Afrikën e Jugut në gjysmën e prillit, u rritën rastet deri në gjysmën e majit, ranë rastet deri në gjysmën e qershorit dhe nuk u pa ndonjë situate nga ato që kishim pare më përpara.
Në Europë, Portugalia ishte e para, në fillim u rritën rastet dhe tanimë janë ulur. Gjermania, Francë, Itali.
Sërish nuk sheh situate spitalore dhe të humbjeve të jetë. Tani, Shqipëria ka rritje të rasteve. Paçka se ka një rritje graduale të lehtë, nuk është ajo rritja eksponenciale që kemi parë në valët e tjera”, u shpreh Alimehmeti.
Ai ripërsëriti thirrjen e tij për mos vaksinimin e fëmijëve, pasi sipas tij, COVID prek kryesisht prek moshat e vjetra dhe njerëzit e sëmurë.
Alimehmeti shtoi se vaksinimi është goxha efektiv për evituar format e rënda dhe shtrimet spitalore te moshat e vjetra.