Nga Ardit Rada
Shoqata e Hidrokarbureve në vend ka çuditur jo pak sot me një deklaratë, dhënë për revistën ‘Monitor’. Grupimi në fjalë, që ka në përbërje shumicën e firmave që tregtojnë lëndët djegëse në treg, është ankuar se çmimet do të ishin më të ulta nëse nuk do të ndërhynte Bordi i Transparencës.
Më saktë, Shoqata është shprehur se çmimi real do të ishte 5% më lirë. E thënë ndryshe, 12 lekë më lirë. I çuditshëm në këtë deklaratë është fakti se Shoqata që është ‘intervistuar’ në rastin më të mirë nuk di shkrim dhe këndim. Në rastin më të keq, dhe klasikun, dashakeqësia për t’u pasuruar shpejt në kurriz të qytetarëve është e dukshme.
Por si dhe pse gënjen Shoqata e Hidrokarbureve duke u fshehur pas vendimeve të ‘Bordit’?! Në deklaratat e tij, organizmi i krijuar për të frenuar abuzimet, shprehet qartë dhe shqip se: “Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 243 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 231 lekë/liter”.
Pra vendimi thekson çmimin që nuk duhet tejkaluar, por nuk ndalon askënd ta tregtojë sa të dojë brenda kësaj shifre.
Dhe në fakt, të gjithë jemi dëshmitarë sesi disa pika karburantesh e tregtojnë naftën, benzinën dhe gazin më lirë sesa shifra që përmend Bordi i Transparncës në deklaratat e tij.
Pyetja që shtrohet për Shoqatën e Hidrokarbureve është se kush i ndalon karburantet që bëjnë pjesë në të që të bëhen ‘burra të mirë’ dhe ta ulin jo 5 përqind, por sa të duan?! Në fakt, qytetarët edhe para rritjes së çmimit për shkak të krizës globale janë ndjerë të fyer dhe të tallur nga shumica e karburanteve. Që një herë ankoheshin për bursën, një herë për taksën e një herë për luftën në Irak.
Këtë tallje deri më sot ua kemi marrë me sportivitet edhe pse ka rënduar xhepat tanë. Por që të gënjejnë publikisht kush i detyron xhanëm?