Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u takua gjatë vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe me zëvendëspresidentin e kompanisë amerikane “Lockheed Martin” për Europën, z. Jonathan Hoyle. Mes palëve u diskutua rreth projekteve aktuale dhe atyre në vijim që FA ka me firmën prestigjoze të teknologjisë së mbrojtjes “Lockheed Martin”, në veçanti për operacionalitetin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të Republikës së Shqipërisë, si dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare të vendit.
“Sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës ajrore e detare”/ Peleshi, takime me përfaqësues të kompanive “Lockheed Martin” e “Airbus Helicopters”
Gjatë bisedimeve, ministri Peleshi u shpreh se të dy palët duhet të eksplorojnë të gjitha avantazhet, disavantazhet dhe përfitimet nga ky bashkëpunim duke shprehur besim në performancën dhe gjurmët e “Lockheed Martin” deri në zbatimin e plotë të projekteve që kjo firmë ndërmerr.
Një takim të veçantë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi edhe me zëvendëspresidentin e kompanisë “Airbus Helicopters” për Europën Juglindore dhe Izraelin, z. Cesar Sanchez Lopes. Bisedimet u fokusuan në problematikat aktuale dhe gjetjen e mekanizmave dhe hapësirave të reja për përmirësimin e procesit të mirëmbajtjes së helikopterëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.