U zhvillua sot në Tiranë, konferenca ndërkombëtare “Bazat e Mirëqeverisjes për Menaxhimin e Cilësisë në Administratën Publike”, organizuar nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) dhe SIGMA (programi i përbashkët i OECD dhe BE), në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit Për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi, ku u prezantua rëndësia e përmirësimit të shërbimeve publike dhe administratës publike nëpërmjet futjes së instrumenteve të menaxhimin e cilësisë. Këto instrumente perceptohen si një nga parakushtet kryesore për qëndrueshmërinë e reformave të administratës publike, modernizimin dhe performancën më të mirë të saj, por gjithashtu tregojnë përkushtimin e qeverive për të përmirësuar vazhdimisht kënaqësinë e përdoruesve.
Të pranishëm në konferencë ishin z. Arben Ahmetaj, Zëvendëskryeministër i Shqipërisë, znj. Milva Ekonomi, Ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Z. Hubert Perr, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, znj. Maja Handjiska-Trendafilova Drejtore e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA). ), Nick Thijs, Këshilltar i Lartë në SIGMA dhe më shumë se 120 nëpunës civilë nga administratat publike të Ballkanit Perëndimor që merren me Menaxhimin e Cilësisë.
Në hapjen e Konferencës Zëvendëskryeministri Z. Arben Ahmetaj, prezantoi para pjesëmarrësve, revolucionin dixhital që qeveria shqiptare ndërmori dhe nga 1 maji, sportelet fizike u mbyllën përfundimisht, duke bërë që pothuajse të gjitha shërbimet publike ofrohen online, nëpërmjet platformës e-Albania.
“E-Albania edhe pse ka qenë një rrugë e gjatë, nga 14 shërbimet online që ofronte dikur, sot mundëson 1225 shërbime publike ose 95% të tyre, me gjithsej 2.5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara.
97.5% e qytetarëve shqiptarë që ndërvepruan me autoritetet publike nëpërmjet internetit ishin të kënaqur me shërbimet e ofruara, gjë që dëshmon efikasitetin e këtij transformimi dixhital”, tha Ahmetaj dhe nënvizoi se “qasja administrative me qytetarin në qendër është thelbësore për vendet e BE-së dhe Shqipëria udhëhiqet nga e njëjta qasje, nga e njëjta kulturë kur bëhet fjalë për forcimin e institucioneve publike ndaj asaj që ato ofrojnë për qytetarin.” tha zoti Ahmetaj.
Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Znj. Milva Ekonomi, theksoi rëndësinë e administratës publike për qeverinë shqiptare, si një nga aktorët e rëndësishëm në realizimin e të gjitha proceseve reformuese që janë ndërmarrë ndër vite për mirëqeverisjen dhe përfshirjen e qytetarëve në këto procese. Zonja Ekonomi theksoi se sipas raportit të SIGMA në 2021 “Shqipëria ka performuar në një nivel të lartë në të 6-ta shtyllat e matjes së përformancës së mirëqevëerisjes duke mundësuar një evidentim thelbësor që reflektohet edhe në progres-raportin e BE-së për Shqipërinë Tetor 2021.”
Znj. Maja-Handjiska Trendafilova, Drejtoreshë e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) shprehu inkurajimin e saj për angazhimin politik të parë në Konferencën e sotme dhe gatishmërinë për përmirësimin e administratës publike dhe shërbimeve publike përmes futjes së instrumenteve për Menaxhimin e Cilësisë. ReSPA është e përkushtuar të ofrojë ekspertizë rajonale në Menaxhimin e Cilësisë përmes Qendrës Rajonale të Menaxhimit të Cilësisë (RQMC), e cila është dëshmuar si një përshpejtues CAF në Ballkanin Perëndimor për vite me radhë. “Ftoj institucionet e administratës publike në Shqipëri që të aplikojnë në masë të madhe për zbatimin e CAF dhe duke e zbatuar atë të përmirësojnë performancën e tyre organizative e cila ndikon në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët”, tha Handjiska-Trendafilova.
Konferenca u pasurua me prezantimin e z. Nick Thijs, Këshilltar i Lartë në SIGMA dhe Z. Thomas Prorok, Drejtor i KDZ-së Austri si dhe dy panele ku përfaqësues nga institucionet e Ballkanit Perëndimor, të vendeve të BE-së, dhe aktorët kryesorë nga institucionet publike shqiptare që merren me Menaxhimin e Cilësisë. Panelistët ndanë njohuri dhe eksperienca në zbatimin e CAF dhe mjeteve të tjera të menaxhimit të cilësisë në përmirësimin e organizimit të brendshëm të institucioneve që ata përfaqësonin.