Në vend është shpallur gjendja e emergjencës pasi protestuesit refuzuan që kryeministri të shërbejë si president i përkohshëm dhe kërkuan dorëheqjen e Gotabaya Rajapaksa.
Protestuesit nisën sot sërish demonstratat në Sri Lanka pasi presidenti i vendit Gotabaya Rajapaksa u arratis drejt ishujve Maldive me një avion të mistershëm ushtarak, ndërkohë as ai as kryeministri nuk kanë dhënë zyrtarisht dorëheqjen dhe vendi mbetet në kaos politik.
Pas largimit klandestin të Gotabaya një zëdhënës në Sri Lanka tha se kryeministri Ranil Wickremesinghe, është emëruar nga Rajapaksa të veprojë si president i përkohshëm. Wickremesinghe shpalli gjendjen e emergjencës kur protestuesit thyen zyrat e kryeministrisë dhe morën kontrollin e televizionit shtetëror.
Mijëra njerëz ishin mbledhur rreth kryeministrisë ku dhe u goditën vazhdimisht me gaz lotsjellës nga policia, teksa tentonin të kalonin gardhet për të hyrë.
Njerëzit shiheshin që largoheshin me sytë duke u rrjedhur dhe me fytyra të përgjakura.
“Situata është e rëndë, ata po qëllojnë me armë, hedhin gaz lotsjellës pa pushim, shumë njerëz janë plagosur”, tha 37 vjeçari Vinodh Blaze, shofer tuk-tuk-u me sy të skuqura prej gazit lotsjellës.
Protestuesit morën gjithashtu kontrollin e qendrës mediatike shtetërore Rupavahini në kryeqytetin Colombo.
Mëngjesin e sotëm, presidenti Rajapaksa, gruaja e tij dhe dy roje sigurie morën një avion ushtarak drejt Maldives, pasi ai përmendi fuqi të ekzekutive që i lejojnë largimin.
Rajapaksa dhe pesë anëtarë të familjes së tij që mbajnë postet kryesore të shtetit akuzohen për korrupsion të gjerë e keqmenaxhim ekonomik që la vendin të paaftë për të blerë ushqim, karburant e mjekime. Ishulli prej 22 milionë banorësh tashmë përballet me krizë humanitare.
Nëse dorëheqja e Rajapaksa vijon siç pritet, parlamenti do të mblidhet më 15 korrik për të zgjedhur presidentin e ri.