Zhvillohet takimi i dytë në nivel rajonal me këshilltarë vendorë per strategjinë e decentralizimit
Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë organizoi sot në Fier takimin e dytë me drejtues dhe përfaqesuës të Këshillave Vendorë nga Qarku i Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës për të dhënë idetë, mendimet dhe sugjerimet e tyre në kuadër të hartimit të dokumentit të Strategjisë për Decentralizim dhe Vetëqeverisje Vendore.
Kryetarja e Këshillit tëQarkut Fier znj.Evis Sema theksoi rëndësinë e procesit të decentralizimit. “Ne besojmë tek decentralizimi dhe forcimi i demokracisë lokale ndaj do punojmë ngushtë së bashku në këtë drejtim. Gjej rastin të vlerësoj partneret zviceranë dhe ekspertët tanë për besimin dhe punën që bëjnë me Shoqatën e Qarqeve tha z. Sema.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë z. Ervis Moçka duke përshëndetur aktorët vendorë gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimin e rolit të këshillave bashkiakë në veçanti. “Procesi i decentralizimit është themelor. Ne jemi këtu së bashku me të gjithë përfaqësuesit tanë për të vazhduar përpjekjet tona për këshilltare vendore l në shërbim të qytetarëve dhe komuniteteve tona” tha z. Moçka.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut Gjirokastër znj. Lindita Rova theksoi rëndësinë e këtij konsultimi publik për fuqizimin e përfaqësuesve të qeverisjes vendore. “ Kemi shumë kënaqësi t’i bashkohemi kësaj përpjekjeje dhe mirepresim mendimet e të gjithëve për ta bërë këtë proces sa më produktiv” tha znj. Rova.
Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë si pjesë e angazhimit të saj të vazhdueshëm për fuqizimin e këshillave vendorë, si dhe me mbështetjen e programit “Bashki të Forta” të financuar nga Qeveria Zvicerane dhe zbatuar nga Helvetas, ka nisur një seri takimesh pune me Këshilltarë vendorë në të gjithë vendin.
Dy takimet rajonale të radhës në kuadër të kësaj nisme planifikohen të zhvillohen përgjatë muajit Korrik, në Kavajë (me pjesëmarrjen e këshilltarëve vendore të Qarqeve Tiranë, Durrës dhe Dibër) dhe në Elbasan (me pjesëmarrjen e këshilltarëve vendorë të Qarqeve Elbasan, Korçë dhe Berat).