Presidenti Ilir Meta ka dekretuar 2 ligjet sa i përket anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
1. Ligj nr. 56/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës”;
2. Ligj nr. 57/2022 “Për ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Mbretërisë së Suedisë”.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Republika e Shqipërisë ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe të Mbretërisë së Suedisë në NATO.
Meta e ka cilësuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO një zhvillim të madh historik i cili mbështetet në çdo hap nga vendi ynë.
‘Anëtarësimi i këtyre vendeve mike patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria.
Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë aleancë.
Së bashku qëndrojmë më të fortë!’- thuhet në njoftim
Kujtojmë se ratifikimi me procedurë të përshpejtuar u mbajt më 7 korrik gjatë seancës plenare.
Kërkesa u bë në Kuvend nga Partia Socialiste, me firmën e 30 deputetëve. Kërkesa e socialistëve u miratua edhe me dakordësinë e demokratëve.
Pak ditë më parë, ambasadorët e NATO-s nënshkruan Protokollet e Aderimit për Finlandën dhe Suedinë në selinë e Aleancës, në prani të Ministrit të Jashtëm Finlandez Pekka Haavisto dhe Ministres së Jashtme suedeze Ann Linde. Në Samitin e Madridit, udhëheqësit e Aleatëve ranë dakord të ftojnë Finlandën dhe Suedinë për t’u bashkuar me NATO-n pas marrëveshjes së një memorandumi trepalësh midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë.
NATO ftoi Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkohen aleancës ushtarake në një nga ndryshimet më të mëdha në sigurinë evropiane në dekada pasi pushtimi rus i Ukrainës i shtyu Helsinkin dhe Stokholmin të heqin dorë nga ‘tradicionalja’ e neutralitetit.