Nga Mero Baze

Nëse ka një sukses politik protesta e organizuar nga Sali Bersha, ai është bllokimi i ndryshimit politik të opozitës. Duke u përpjekur të marrë me dhunë primatin e opozitës, Berisha e shndërroi projektin e ndryshimit të opozitës në problem riciklimi.

Kur Berisha nisi betejën kundër SHBA duke u maskuar pas betejës kundër Lulzim Bashës, të gjithë të mllefosurit me Lulzim Bashën, e justifikonin betejën e tyre kundër SHBA, me faktin që po e përdornin Berishën të hiqnin Lulzim Bashën dhe të hapnin një garë në PD për të ndryshuar opozitën.

Pati shumë ngjyra si betejë me maska. Pati naivë të vërtetë që e mendonin këtë, duke arsyetuar si njerëz normalë se Berisha nuk është çmendur të rikthehet përsëri.

Pati nga ata hipokritë që thoshin “duhet të ikë edhe Basha, edhe Berisha”, por pasi Basha iku dhe Berisha erdhi, kanë harruar dhe janë të gëzuar që është rikthyer Berisha në rrugë.

Pati dhe berishistë të sinqertë që donin të rikthehej Berisha, po ata si bëjnë pune shoqërisë se janë trushpëlarë.

Problemi është se rikthimi i Berishës është një proces riciklimi që nuk zgjidh çështjen e ndryshimit të opozitës, përkundrazi e bën atë më të vogël dhe më të ndarë.

Për herë të parë antiberishizmi në opozitë është më i fortë se kurrë. Njerëzit e betuar kundër Berishës në PD mund të jenë pakicë, por janë pakicë e pakapërcyeshme për PD, që të rritet si forcë. Ata janë sot në Shqipëri i vetmi grup ideologjik, që duhet të udhëheqë ndryshimin e opozitës dhe më pas të pushtetit në Shqipëri. Dhe mund ta bëjnë këtë dhe si pakicë.

Euforia e berishistëve për rikthimin e Berishës në rrugë, nuk është se po e bën opozitën të fortë, por se sfidoi SHBA dhe rimori kontrollin mbi shumicën e partisë. Por nuk është i pari që e ka këtë sukses.

Dhe Dodik në Bosnjë është forcuar pas futjes nën sanksionet amerikane. Organizatat anti-amerikane, është e natyrshme të reagojnë me zemërim ndaj SHBA kur u prek idhujt e tyre. Kështu ka pas bërë dhe Al Qaeda, ISIS, dhe talebanët.

Dhe këta talibanët shqiptare të opozitës, janë të gëzuar thjesht që janë riorganizuar si anti-amerikanë. Si opozitarë janë të dëshpëruar pasi riciklimi i Berishës, nuk i dobëson kundërshtarët e tij brenda PD, por i viktimizon dhe i bën ata më të vendosur në rrugën e tyre.

Është e vërtetë se sot ne ende nuk kemi një lidership të qartë dhe një vetorganizim të antiberishizmit brenda opozitës, por prania e tyre është kapilare në gjithë Shqipërinë.

Ata nuk dalin në sheshe kundër Berishës, siç del Berisha kundër tyre. Madje mund të jenë dhe në mitingjet e Berishes, pro motiveve fals që ai sajon, por nuk janë kurrë me të. Dhe nuk e votojnë atë.

Protesta është ngjarja më fatkeqe që i ka ndodhur opozitës dhe të ardhmes së saj, dhe jo më fatlumja. Më fatlumja i ka ndodhur Edi Ramës, i cili sodit i gëzuar si është bllokuar ndryshimi i kundërshtarëve të tij dhe si i janë rikthyer mbetjet e së shkuarës përballë, si dhuratë nga Sali Berisha.

Por së paku Edi Rama ka turp të gëzohet publikisht për këtë fat që i ka trokitur tek dera, të cilin e ka ndihmuar dhe pak vetë. Kurse këta të Berishës nuk kanë as turp dhe bëjnë si të lumtur, që kanë arritur ta bllokojnë ndryshimin e opozitës.