Tensionet mes Athinës zyrtare dhe Ankarasë zyrtare janë rritur sërish ditët e fundit. Greqia ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të reja të presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan, që sipas saj kësaj here konsiderohen si një ndërhyrje në politikën e brendshme të Greqisë.

Erdogan pati thënë se Turqia nuk ka ndërmend të hyjë në luftë me Greqinë, por edhe nuk do të rrijë duarkryq në se provokohet. Nga ana e saj qeveria greke nëpërmjet zëdhënësit të saj ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë qëndrime të llojit të ngjashëm dhe se do të vazhdojë të veprojë në përputhje me atë që promovon drejtësinë kombëtare.

“Forcimi i vazhdueshëm i Greqisë ushtarakisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht e trishton zotin Erdogan dhe e çon në deklarata që shkojnë përtej të zakonshmes. Grekët dhe greket kanë edukimin historik dhe patriotizmin që kërkohet për të mbajtur veshët hermetikisht të mbyllur ndaj nxitjeve të atyre që komplotojnë kundër atdheut të tyre”, tha Giannis Oikonomou, zëdhënës i qeverisë.

Kujtojmë se Erdogan tha se po shkelet hapësira ajrore e Turqisë nga Greqia dhe sugjeroi që ajo duhet të marrë “një mësim si nga zhvillimet në rajon ashtu edhe nga ngjarjet e një shekulli më parë” dhe kα ftuar grekët të mos votojnë në zgjedhjet e ardhshme qeverinë në fuqi.