Në shenjë solidariteti me popullin ukrainas, Bashkia e Tiranës do të ndërtojë një shkollë të re në qytetin e Kharkivit, të shkatërruar nga lufta, si dhe do të ndihmojë në procesin e rindërtimit. Në një fjalim të mbajtur para anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përmes një lidhjeje direkte me video, kryetari i Bashkisë së Kharkivit në Ukrainë, Ihor Terekhov falenderoi kryebashkiakun Veliaj dhe Shqipërinë për mbështetjen ofruar vendit të tij.
“Sigurisht, ne do të jemi në gjendje ta rindërtojmë Kharkivin pas luftës, më shpejt, nëse marrim ekspertët dhe specialistët më të mirë në fusha të ndryshme. Tani ekipi im është duke punuar për krijimin e një Këshilli Koordinues të qyteteve partnere, për të shfrytëzuar në mënyrë sa më efikase mjetet e bashkëpunimit ndërkomunal. Qyteti i Tiranës ka përvojën e tij në rimëkëmbjen urbane dhe zhvillimin ekonomik, prandaj ne jemi mirënjohës për ndihmën tuaj në procesin e rindërtimit të pasluftës, duke përfshirë pjesëmarrjen e qytetit tuaj në punën e Këshilli Koordinues të qyteteve partnere. Jam i bindur se vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të arrijmë paqe, stabilitet dhe prosperitet. Faleminderit për vëmendjen dhe ndihmën tuaj për Ukrainën”, tha kryebashkiaku Terekhov. Kryebashkiaku Veliaj iu përgjigj menjëherë pozitivisht ftesës së kryebashkiakut të Kharkivit për të qenë pjesë e Këshillit Koordinues të qyteteve partnere, që do të ndihmojnë në rindërtimin e Ukrainës. Veliaj shprehu gatishmërinë e Tiranës për të kontribuar për rindërtimin dhe kapërcimin e pasojave të luftës.
“Jam i sigurt se do të ketë një “Plan Marshall” për rindërtimin e Ukrainës, ku ne duam të luajmë rolin tonë. Përsa kohë që mes luftës ne jemi duke folur për shkolla, arsim, për dije, për fëmijët, për të ardhmen, unë besoj se ky është një moral ku ne jemi pjesë vëllazërisht me miqtë tanë në Kharkiv. Mezi pres të luajmë rolin tonë modest. Unë besoj se mes qyteteve mund të jemi praktik, mund të jemi efiçentë, dhe do doja shumë që në frymën e shkollave fantastike që kemi bërë në Tiranë, me të njëjtin dizajn, me të njëjtin concept, t’i dhurojmë Kharkivit një shkollë të bukur, siç kemi konceptuar shumë prej hapësirave fantastike të Tiranës, për djemtë dhe vajzat e qytetit tuaj. Ne jemi Shqiptarë, jetojmë në Tiranë, në Kryeqytetin Europian të Rinisë. Ne duam të bëjmë një të mirë në këtë det të madh të kontributeve, duke menduar dhe projektuar që tani Ukrainën e lirë, Ukrainën fitimtare, Ukrainën e të ardhmes”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Shqipëria dhe Tirana kanë qenë gjithmonë pranë atyre që kanë pasur nevojë dhe shprehu besimin se fitorja në Ukrainë nuk do të vonojë. “Të gjitha qëndrimet e kombit tonë, të qytetit tonë, të shtetit tonë, kanë qenë në mbështetje të vëllezërve dhe motrave kosovare kur ata kishin nevojë, në mbështetje të opozitës së Iranit kur ata kishin nevojë dhe u transferuan në Shqipëri, në mbështetje të aktivistëve të Shoqërisë Civile dhe gazetarëve të Afganistanit kur ata kishin nevojë, dhe sot mbështesim qindra fëmijë nga Ukraina kur ata kanë nevojë. Është fryma dhe ADN-ja jonë. Ne këta jemi! Pavarësisht se mbështetja jonë është simbolike, me emërtimin e një rruge “Ukraina e Lirë” në qytetin tonë, ose disa herë me ndërtimin konkret të një shkolle, dua që ta dini se jemi me ju dhe ju mbështesim me të gjitha mundësitë tona. Sigurisht, jemi një shtet i vogël, por me Kryeministrin dhe Shqipërinë që është anëtare e Këshillit të Sigurimit, apo me gjithë rrjetin tonë të qyteteve mbështetëse për Ukrainën, jemi me ju. Mezi presim orën e fitores që padyshim do të vijë”, nënvizoi Veliaj.