Rrethrrotullimi i Varrezave të Dëshmorëve është transformuar, falë punës së artistit të talentuar korçar, Arjol Pepi dhe ekipit të tij fantastik.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të kësaj hapësire publike.
“Mirëmengjes, dhe me këtë vepër arti në hapësirë publike nga artisti i talentuar korçar Arjol Pepi dhe ekipi i tij fantastik, në rrethrrotullimin e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit, Tiranë, ju uroj një të diel të paqtë”, u shpreh kryeministri Rama në rrjetet sociale.
“Art në Hapësira Publike”, është një nga nismat më të reja të Qeverisë Shqiptare.
Kjo nismë shumëplanëshe, ka tashmë të akorduar një fond prej rreth 200 milionë lekësh.
Janë identifikuar 18 hapësira publike që do të plotësohen me vepra arti.
Ato shtrihen nga Veriu në Jug dhe nuk bëhet fjalë vetëm për sheshe, por edhe rrethrrotullime, institucione publike apo mbikalime, si dy rrethrrotullime në Koplik, dy në Bajzë, Divjakë, Grabian, Kavajë, mbikalimi te “Plepat”, mbikalimi te “Pallati me shigjeta”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” etj.
Konkursi është hapur më 24 qershor dhe i drejtohet si artistëve vendës ashtu edhe atyre të huaj.
Çdo aplikant apo grup aplikantësh mund të paraqitet me tre projektide.
Veprat do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare, që do të ngrihet pas përmbylljes së fazës së parë të konkurrimit.
Në këtë skemë do të angazhon artistë shqiptarë e të huaj të arteve pamore, arkitektë, dizajner, inxhinierë ndriçimi, etj. Qëllimi është përmirësimi i imazhit të hapësirave publike.