Në fillim i ka bërë vizitë Juventus-it në grumbullimin e skuadrës në Amerikë, më pas i ka dedikuar pak kohë fansave të tij.
Në fund, ka ardhur edhe një intervistë në kanalin zyrtar të klubit bardhezi në Twitch. Po flasim për AlessandroDel Piero, i cili ka folur për përshtypjet e tij në lidhje me skuadrën e Max Allegri-t për sezonin 2022/23.
“Kush më ngjan? Kur shikoj lojtarët nuk mendoj për atë që mund të më ngjajë, por për atë që është më tërheqës dhe bën diçka ndryshe”, ka thënë Pinturicchio.
“Duke folur për Juventus-in ka disa djem që kanë cilësi të jashtëzakonshme dhe që kam patur mundësinë t’i njoh. Kanë të gjithë mentalitetin e duhur për të bërë mirë dhe e dinë se çfarë do të thotë të veshësh këtë fanellë.
“Më vjen në mendje Chiesa, që ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm deri në momentin e dëmtimit dhe tani i urojmë një kthim të shpejtë”, ka shtuar Del Piero.
“Vlahovic më ka befasuar në mënyrë pozitive, më pas Cuadrado, Bonucci. Nuk është e lehtë të jesh aty çdo ditë, por lojtarët kanë cilësi dhe dëshirën për ta bërë”.
Për Angel di Maria: “Është një përforcim fantastik për Juventus-in. Është efikas për ekipin. Ka personalitet, një të kaluar të lavdishme si eksperiencë dhe trofe të fituar.
“Është shumë i mirë në çdo aspekt kështu që nuk ka përforcim më të mirë për Juventus-in. E kam njohur dje (të premten), më ka konfirmuar atë që mendoja”.