Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste në 27 njësitë vendore të Tiranës.
Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se teksa PS është parti e së ardhmes dhe fokusi i saj është të çojë vendin përpara, Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë ende mendjen te hallet e tyre të pazgjidhura të viteve ’90.
“Shumë njerëz paragjykonin, s’ka mundësi PS të kalojë ligjin për transparencën e dosjeve të sigurimit. Ja ku jemi sot! U duk kush ishte komunist nga më të këqijtë dhe kush ishte fuks nga më të rëndomtit dhe sot t’i zgjidhin vetë nga komunisti Sali dhe fuksi Ilir. Por PS është partia e 2022-shit, partia moderne, partia që në këtë javë i gëzohet faktit që hapi negociatat. Më në fund jemi në trenin e BE-së dhe është vetëm çështje kohe derisa të mbërrijmë në destinacion. Teksa ne jemi duke bërë biseda për të ardhmen, Saliu dhe Iliri janë duke zgjidhur hallet e viteve ’90 me pyetjet: Kush na spiunoi te greva e urisë? Ishte ky Ilir Metë, apo do ia hedhim fajin dikujt tjetër? Kush ishte doktori që Ramizi e çoi të prishte protestën e studentëve? Ishte ky doktor, apo ishte një doktor tjetër? Ata e kanë jetën e tyre të obsesuar për të sqaruar muhabetet e vitit ’90, ne e kemi jetën tonë të angazhuar dhe të mobilizuar te misioni i Shqipërisë që vjen nga 2022-shi, 2023-shi, e tutje, se sot jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe nesër do të jemi një vend anëtar i BE-së”, u shpreh Veliaj.