Pol Pogba mund të quhet futbollisti i ri i Juventusit, edhe pse zyrtarizimi ende nuk ka mbërritur.
Francezi ka zbarkuar mëngjesin e sotëm në “J-Medical” për të kryer vizitat mjekësore me bardhezinjtë, por në hyrjen e klinikës është gjendur mes pritjes madhështore që i rezervuan tifozët e Juventusit.
I buzëqeshur dhe i lumtur, ylli francez ka përshëndetur sërish tifozët e “Zonjës së Vjetër”.
29-vjeçari vjen te Juventusi me parametra zero pas mbylljes së bashkëpunimit me Mançester Junajtidin.
Kjo është aventura e tij e dytë në Torino pas sezoneve të suksesshme nga 2012 deri në 2016, ku arriti të fitonte 4 tituj kampioni, 2 Kupa të Italisë dhe 3 Superkupa të Italisë.
Në sezonin e fundit me Mançester Junajtidin në Premier Ligë kampioni i Botës me Francën u aktivizua gjithsej në 20 ndeshje duke shënuar 1 gol dhe duke dhuruar gjithashtu edhe 9 asiste për shokët e skuadrës.