Një raketë goditi parkingun e ndërtesës 9 katëshe “Yuvelirniy” në qytetin Vinnytsia të Ukrainës rreth orës 10:50 të ditës së sotme. Komiteti Shtetëror i Situatave Emergjente konfirmoi lajmin, ndërsa ndërtesat e banimit aty pranë u dëmtuan nga përplasja dhe shpërtheu një zjarr i madh, që deri më tani raportohet t’i ketë marrë jetën plot 20 civilëve.

Një zyrtar i lartë në shërbimin rajonal të urgjencës tha se kishte pak mundësi për të gjetur më shumë të mbijetuar nën rrënojat në Vinnytsia, një qytet me një popullsi prej rreth 370 mijë banorësh para nisjes së pushtimit rus.

Sulmi, sipas zyrtarëve ukrainas, erdhi nga një nëndetëse ruse e dislokuar në Detin e Zi. Pamjet video dhe fotot nga qyteti, i cili është larg vijës së frontit, treguan tym të zi të dendur që ngrihej nga një ndërtesë e lartë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse në një objektiv civil që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

“Tre fëmijë ishin mes të vdekurve”, bën me dije zyrtarët.

Ushtria ukrainase njoftoi se Vinnytsia, një qytet 200 km në jugperëndim të Kievit, u godit nga tre raketa ruse Kalibr të lëshuara nga një nëndetëse ruse dhe se forcat ukrainase rrëzuan dy të tjera.

Policia tha se nga të plagosurit rreth 50 janë me plagë të rënda dhe se 15 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

“Raketat e lundrimit goditën dy objekte të komunitetit, shtëpitë u shkatërruan, një qendër mjekësore u shkatërrua, makinat dhe tramvajet u përfshinë nga flakët”, tha Presidenti Volodymyr Zelensky.

“Ky është një akt i terrorizmit rus… 20 njerëz kanë vdekur deri më tani”, shtoi më tej ai në një konferencë ndërkombëtare që synonte ndjekjen penale të krimeve të luftës të kryera në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar ende informacionin nga Vinnytsia. Rusia, e cila pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, mohon të ketë shënjestruar civilët dhe thotë se forcat e saj nuk kanë kryer krime lufte.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes Hana Maliar, në një konferencë shtypi në Kiev, e quajti sulmin “një tjetër provë për gjenocid”. Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba akuzoi Rusinë në Tëitter për kryerjen e “një ferri më këtë krim lufte”.