Një sulm të mirëorganizuar dhe të fuqishëm e konsideroi eksperti i IT-së Gent Progni, atë që shënjestroi sot institucionet qeveritare në Shqipëri.
Ai vuri në dukje se mbyllja ose fikja e sistemit ka qenë veprimi i duhur në mënyrë që të shmanget vjedhja e të dhënave. Eksperti paralajmëroi se nëse nuk bëhemi gati për këtë luftë të së ardhmes do kemi dëme kolosale, në ekonomi dhe jo vetëm.
Është një sulm i mirëorganizuar. Do ishte mirë të mos merreshim me politikë, është njësoj si të të sulmojnë në formë tokësore, dhe shteti të ndihet i rrezikuar. Po tentohen të enkriptohen të dhënat. Do ishte mirë të bashkohemi bashke, të ndihmojmë të zbulojmë. Ky sulm nuk ka qenë një sulm për t’i rënë qeverisë, por popullit dhe shtetit shqiptar. Në vitin 2022 sulmet kibernetike janë si të të shpallin luftë. Informacioni në vitin 2022 është gjëja më e rëndësishme për një shtet. Sulmi ransomware është një nga viruset më të rëndësishme që ka prekur shumë vende në botë, ose të bllokon të dhënat, ose t’i merr. Mbyllja ka qenë veprimi i duhur në këtë rast që të mos kemi vjedhje të dhënash. Edhe unë në faqet e mija bëra bllokimin e Ip-ve. Mund të kenë qenë edhe Ip, shqiptare, kosovare dhe maqedonase. Është një nga sulmet më të fuqishme në botë. Nuk e parandalon dot as SHBA. Fikja e sistemit dëmton shumë qytetarët, por është një zgjidhje që t’i japë pak frymë institucionit dhe të kuptojë sa i thellë është sulmi. Bllokimi i aksesimit është bërë për të parandaluar çdo vjedhje nga jashtë apo enkriptimin nga jashtë të të dhënave. Pavarësisht dëmeve e shoh pozitive këtë që ndodhi që qeveria t’i japi më shumë vëmendje dhe më shumë investime TIK-ut. Në TIK kanë avancuar shumë shtete të tjera. Nëse s’bëhemi gati për këtë luftë të së ardhmes, do kemi dëme kolosale, në ekonomi dhe jetën e qytetarëve. Sugjerimi im për qytetarët është të lexojnë më shumë. Kemi rastesh mashtrimesh pa fund. Nuk e kanë shumë të qartë, u duket akoma si lojë interneti. Mund të jetë edhe një sulm test për të parë sa i përgatitur është shteti shqiptar në vazhdimësi. Nesër kur të jenë zgjedhjet lokale mund të bëhet një sulm edhe më i fuqishëm që të hedhë gjithë shtetin down”.