Nga Ylli Pata

Historia që ka shpërthyer prej 24 orësh, e që ka të bëjë me një përmendje direkte të Ilir Metës nga Autoriteti i Dosjeve është një ngjarje përveçse e bujshme, edhe e fortë.

Këtu, institucione dhe drejtues të saj; që nga autoriteti dhe Kuvendi i Shqipërisë, madje edhe mazhoranca vetë që nëpërmjet Parlamentit po vë në lëvizje këtë histori, luan fort me besueshmërinë dhe trazon shumë ujrat në politikën e vendit.

Vetë Ilir Meta, sapo ka dalë kjo histori thekson se autoritetin nuk e njeh, për të ai nuk ekziston dhe thekson se aid he Sali Berisha janë viktima dhe shënjestra të Edi Ramës për të mbuluar të palarat e tij.

Kështu po thonë edhe mbështetësit e Metës, që e konsiderojnë gjithë këtë zhvillim të bujshëm, si një mekanizëm pushteti për ta dëmtuar Ilir Metën.

Por në fushën e politikës, Ilir Meta nuk ka përse viktimizohet, edhe pse ai shënjestrohet nga objektivë sulmi nga institucione apo armiq e rivalë të tij.

Nuk mund të jetë viktimë e pushtetit, një aktor 30 vjeçar i pushtetit në vend që ka qenë në tre postet më të larta të shtetit. Ilir Meta, sot ka një status krejttë ndryshëm prej vitesh. Ai sot nuk ka më imunitet apo pancir pushteti, përveçse disa trajtime të veçanta si ish-President i Republikës, që do ti gëzojë edhe për 5 vjet të tjera.

Megjithatë, në tërë këtë histori që për vetë Metën natyrisht që është e rëndë, mbetet vetëm beteja për të ndjekur rrugën e së vërtetës për rastin në fjalë. Kjo, si duke e kërkuar çështjen tek Autoriteti i Dosjeve të Komunizmit, e nëse nuk i beson siç dhe thotë, ka gjithmonë gjykatën, aulën ku mund ta kërkojë të drejtën e tij deri në një vendim të formës së prerë.

Nëse arrin ta bëjë këtë betejë, Ilir Meta, ka shumë mundësi që nëse del i larë, të rikuperojë imazhin e tij, e madje edhe mund të rilindë politikisht si lider.

Por nëse Meta, do të vijojë siç edhe e shprehu sot, të mos njohë dhe refuzojë në distancë këtë fakt, e të bëjë zhurmë politike, atëherë e gjitha kjo është një xhirim bosh, ku nuk shkon asgjëkundi.

Një qytetar që është në punë të vet, e ndodhet nën agresionin e organeve të shtetit, ka të gjithë të drejtën të quhet viktimë, nëse nuk trajtohet me të drejtat e liritë që i jep Kushtetuta. Natyrisht këtë hapësirë e gëzon edhe një politikan që ka pasur gjithçka në këto 30 vjet, por ai nuk ngjit në opinion nëse e konsideron veten viktimë.

Ndërkaq, të qenurit shënjestër, apo palë ku do të marrë goditje majtas e djathtas, kjo është dialektika e një politikani që luan lart në politikë. Vetë Ilir Meta, sulmon lart e poshtë, majtas e djathtas prej vitesh e ditë për ditë, ndaj është e pritshme që të marrë goditje.

Megjithatë, në aspektin politik ka një lajm të rëndësishëm në terren, ai sot ka mbështetjen e vetëm të Sali Berishës. Ndaj dhe sulmoi deputetët e tjerë të opozitës si “lulushë”.

Megjithatë, duket se jemi në fillimin e një orteku zhvillimesh që ka shumë gjasa që të jenë frenetike e të ndjekin njëri-tjetrin, si për Ilir Metën, por edhe me të tjerët. Janë të gjitha shenjat e nisjes së një formalizimi të llogarisë për kastën 30 vjeçare politike. Që deri tani është bërë vetëm në publik, por edhe kjo ka qenë e kufizuar si rezultat i presionit politik nga këta aktorë.

Autoriteti i Dosjeve, megjithatë nuk duket i vetmi në këtë histori, pasi po dalin persona konkret me emra e mbiemra, që duket do t’i japin oksigjen më shumë kësaj historie për të arritur tek e vërteta e plotë…

TemA