Nga Ravi Agrawal “Foreign Policy”
Një nga arsyet pse është kaq e vështirë të parashikohet, se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, ka të bëjë me faktin se presidenti rus Vladimir Putin e ka projektuar atë si të tillë. Në javët para luftës, ai e detyroi botën të hamendësonte. Edhe sot politikë-bërësit në mbarë botën po përpiqen të kuptojnë, se kur mund të shpallë fundin e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak”.
Edhe pse bilanci ka ndryshuar nga muaji në muaj, që nga fillimi i luftimeve më 24 shkurt, kohët e fundit trupat ruse janë dukur në epërsi. Ato kanë pushtuar pjesën më të madhe të Luhanskut në lindje të vendit, dhe tani po kërkojnë të kryejnë sulme të mëtejshme në jugperëndim në Donetsk, për të marrë tërësisht nën kontroll zonën e njohur si Donbas.
Fiona Hill, bashkëpunëtore në Institutin Brookings, ka punuar në administratat e tre ish-presidentëve të SHBA-së-George W.Bush, Barack Obama dhe Donald Trump, duke pasur poste kyçe në radhët e inteligjencës kombëtare, duke e këshilluar Shtëpinë e Bardhë për strategjinë e saj ndaj Rusisë dhe Evropës. Në këtë interviste, Hill thotë se Putinit po i mbaron koha, dhe se në fund Ukraina dhe Perëndimi do të triumfojnë, dhe se rusët mund të rebelohen ndaj shefit të Kremlinit
Disa analistë me ndikim si Thomas Friedman apo Fareed Zakaria, po paralajmërojnë se Perëndimit po i mbaron koha për ta mposhtur Rusinë. Cili është mendimi juaj?
Kjo mënyrë të menduari fsheh faktin, që edhe vetë Putini mund të jetë duke u përballur me limitet e tij kohore. Ai dëshiron që të jemi ne ata që do të gjunjëzohemi. E gjitha kjo është pjesë e një lufte informative. Nga sondazhet e dimë se presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk po përfiton asnjë pikë për angazhimin e tij ndaj Ukrainës.
Edhe pse mbështetja për këtë të fundit, mbetet shumë e fortë si në SHBA edhe në Evropë. Në fakt, kjo luftë po i dëmton politikanët në Shtetet e Bashkuara dhe kryesisht në Perëndim për shkak të inflacionit dhe presioneve mbi sigurinë e energjisë dhe ushqimit. Por edhe Putini duhet të rizgjidhet në vitin 2024.
Ai e nisi këtë “operacion special ushtarak”, duke thënë se do të përfundonte brenda pak ditësh. Por po vazhdon prej muajsh. Dhe deklarata e fundit e Putin “Nuk kemi filluar ende seriozisht!”, synon të na frikësojë që të tërhiqemi. Por edhe ai është gjithashtu i shqetësuar për pasojat që ka kjo luftë tek stabiliteti i sistemit të tij. Pasi të kalojë ky dimër, vitin e ardhshëm në ekonominë ruse do të nisin të ndihen të gjitha pasojat e sanksioneve ekonomike, pavarësisht çmimeve të larta të naftës dhe gazit.
Është e habitshme që Putin të shqetësohet për rizgjedhjen e tij. Ai është një udhëheqës autoritar; dhe duket se është i mbrojtur nga ndonjë grusht shteti. Kontrollon median, pse do të kishte frikë nga zgjedhjet e 2024-ës?
Pasi ka frikë nga një përsëritje e asaj që ndodhi, kur u kthye për herë të fundit në presidencë në vitet 2011-2012, kur pati protesta të mëdha në Moskë, Shën Petersburg dhe qytete të tjera të mëdha ruse. Putini e di se nën sipërfaqe ka shumë pakënaqësi të fshehura. Njerëzit duket se e mbështesin këtë operacion të posaçëm ushtarak, për sa kohë që fëmijët e elitës nuk po dërgohen si “mish për top” në vijën e parë të frontit.
Por kemi filluar të shohim disa reagime nga zonat periferike të Rusisë. Për shembull në Buryatia, nga ku ka pasur shumë ushtarë të dërguar në vijën e parë të frontit. Aty kanë nisur të zhvillohen protesta të grave që kërkojnë rikthimin në shtëpi të burrave dhe djemve të tyre.
Autoritetet kanë filluar ta hasin vështirësi në rekrutimet në vende si Dagestani, por edhe në Çeçeni. Putini e di se kjo pakënaqësi e ka një ndikim. Ne do shohim çfarë do të ndodhë kur zhvillimet të nisin ta dëmtojnë xhepin e rusëve.
Demonstratat apo protestat më të mëdha në mandatin e gjatë të Putinit si president dhe kryeministër i Rusisë që nga viti 2000, kanë qenë për arsye ekonomike. Putin nuk është aq popullor në Moskë dhe Shën Petersburg. Kur analizon në detaje sondazhet, ai duket pak si Donald Trump.
Në fakt, rusët do të donin një alternativë. Rusia është shpesh e përgatitur për protesta, sidomos për çështje socio-ekonomike. Putini do të shqetësohet për këtë edhe për një arsye tjetër:Përreth vetes ka njerëz që besojnë se ai nuk është i justifikuar të vazhdojë të qëndrojë edhe për 2 mandate të tjera.
Ai duhej ta përfundonte mandatin e tij në vitin 2024. Por e ndryshoi Kushtetutën për të kandiduar sërish për 12 vjet të tjera deri në vitin 2036, kur të jetë 80 e ca vjeç. Por sa më i dobësuar të jetë, dhe sa më pak legjitim të shfaqet, aq më pak popullor do të jetë, dhe aq më shumë nxitje do të kenë të tjerët që të përpiqen ta rrëzojnë.
Duke pasur parasysh këtë atmosferë, si do të sillet ai për 3-4 muajt e ardhshëm deri në prag të dimrit?
Ai do të përpiqet t’i bëjë gjërat sa më të lehta për veten e tij. Rusia mund të vazhdojë të terrorizojë të gjithë, dhe të godasë kudo me raketa. Po ashtu, ajo mund të vazhdojë të vendosë embargo ndaj grurit. Supozimi i Putinit është se turqit, libanezët, Bashkimi Afrikan dhe të gjithë do të fillojnë të ushtrojnë presion mbi Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin, pasi ai po thotë:”Kjo situatë, është rezultat i sanksioneve të tyre!’.
Sigurisht, kjo nuk është e vërtetë. Është ai që po e manipulon qëllimisht urinë, për të na nxjerrë si të këqijtë në këtë histori. Loja e Putinit, është të na nxitë të mposhtim veten, pasi ne nuk mund ta imagjinojmë të jemi në gjendje ta përballojmë për disa vite këtë situatë.
Në pikën që janë aktualisht gjërat, çfarë do të konsideronte Putin një fitore në Ukrainë?
Ai ka thënë dikur se nuk mund të cilësohet fitore asgjë më pak se sa fshirja e Ukrainës nga harta. Për të Ukraina është një koloni që i përket Rusisë. Ai mund të konsiderojë fitoren edhe pushtimin e gjithë rajonit të Donbasit. Por rreziku është që ai të shpallë një armëpushim të shkurtër për t’i konsoliduar këto arritje, dhe më pas të vazhdojë luftën më tej.
Pjesa më e madhe e vendeve të botës në hemisferën jugore ka refuzuar të dënojë Rusinë. Për shembull India, ka rritur shumë sasinë e naftës së papërpunuar që blen nga Rusia. Kur Putin sheh përgjigjen globale ndaj luftës në Ukrainë, si në Perëndim, por edhe në pjesën tjetër të botës, si mendoni se i vlerëson gjërat?
Ai mendon se gjërat po shkojnë vërtet në drejtimin që ai dëshiron. Por ky është produkt i fushatës ruse të keqinformimit që ka ndikim sidomos në Afrikë. Në jugun global, njerëzit kanë kujtime të gjata të imperializmit evropian. Ata priren ta mendojnë Rusinë si Bashkimin Sovjetik, si udhëheqësen e lëvizjes së të paangazhuarve, dhe si kampionen e të gjitha ushtrive dhe forcave çlirimtare marksiste post-kolonialiste.
Pra, Rusia vazhdon të prezantohet jo si një fuqi perandorake që përpiqet të rimarrë një koloni të vjetër, por si një fuqi që po lufton kundër Perëndimit, kundër NATO-s dhe kundër Shteteve të Bashkuara. Dhe ata po u thonë gjithashtu afrikanëve dhe njerëzve në Lindjen e Mesme se janë sanksionet e Perëndimit, ato që po ndërpresin dërgesat e grurit, dhe që po rrisin çmimet e naftës dhe energjisë. Kjo mund të jetë e vërtetë. Por jo në rastin e drithit dhe ushqimit, ku Putini po i përdor qëllimisht si peng, dhe natyrisht po e shkatërron Ukrainën.
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al