Kreu i postës së Dibrës, Ilir Vraniçi dhe shefi i marketingut, Xhevdet Doda janë arrestuar nga policia pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e ish postierit të identifikuar si Gazmir Hasi, 33 vjeç. Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, pasi dyshohet se ka vjedhur 6 milionë lekë nga masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve.

Në kuadër të operacionit ‘Delivery’ u bë ndalimi dhe ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

Ilir Vraniçi, 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i degës postare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

Xhevdet Doda, 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut në degën e Postës Shqiptare në Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” – njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.