Burri i arrestuar për vrasjen Shinzo Abe ka deklaruar se ish-lideri japonez drejtonte një kult fetar që solli shkatërrimin financiar të nënës së tij, shkruan agjencia Reuters, dhe se kishte shpenzuar muaj të tërë në planifikimin e sulmit me armën e prodhuar artizanalisht.
Tetsuya Yamagami, ish-ushtaraku 41-vjeçar, u identifikua nga policia si i dyshuari që iu afrua nga prapa kryeministrit të vjetër të Japonisë dhe hapi zjarr në sulmin e regjistruar në video.
Ngjarja shokoi vendin ku dhuna e armëve konsiderohet si diçka e rrallë.
Vrasësi trupdobët, me syze dhe flokë të shpupurisur, shihet në pamje sesi afrohet prapa Abe, para se të qëllojë plumbat nga arma e tij me grykë 40-cm të gjatë, të cilën e kishte mbështjellë me izolant të zi. Ai u ndalua nga policia në vendngjarje.
Yamagami për të cilin fqinjët thonin se nuk i fliste njeriu, besonte se Abe ishte drejtues i një kulti fetar në të cilin nëna e tij kishte bërë një “donacion gjigant financiar”, shkruan agjencia vendase e lajmeve Kyodo, duke cituar burime të hetimeve.
Ai tha më pas në polici se nëna e tij falimentoi prej donacionit ndaj organizatës, sipas rrjetit Yomiuri.
“Nëna ime u përfshi shumë në këtë grup fetar dhe unë e përçmoja këtë,” citohet të ketë thënë i dyshuari nga agjencia Kyodo. Policia refuzonte të komentonte mbi detajet për motivimin apo planifikimin e vrasjes nga Yamagami.
Mediat nuk përmendnin grupin apo kultin fetar për të cilin bëhet fjalë.
Yamagami kishte krijuar ndërkohë armën e tij me pjesë të blera online, dhe duke pritur rastin për evenet e fushatës së Abe.
Ai besohet se kishte marrë në konsideratë një sulm me bombë para se të zgjidhte armën e zjarrit, shkruante rrjeti vendas NHK.
Yamagami jetonte në katin e tetë të një pallati apartamentesh, ku në katin e parë ka një bar të madh në të cilin preferonte të kalonte shumicën e kohës.
Një fqinje 69-vjeçare që jeton një kat poshtë tij tha se e kishte parë tre ditë para vrasjes.
“Unë e përshendesja apo nuk kthente asnjëherë përgjigje. Ai shikonte vetëm poshtë dhe dukej nervoz, ishte si një njeri i padukshëm, dukej që diçka e shqetësonte”, tha Nakayama për agjencinë Reuters.
Një grua vietnameze që jetonte në katin e Yamagami e cila dha emrin e saj si Mai, tha se ai nuk përzihej me të tjerë. “E kam parë disa herë, e përshëndetja me kokë në ashensor, por ai nuk thoshte asgjë”.
Tetsuya Yamagami raportohet se ka shërbyer në forcat detare japoneze nga 2002 deri në 2005, raportonte marina.
Yamagami ishte shtërvitur në Sasebo, një bazë madhore artilerie në veriperëndim të vendit. Më pas ai kishte shërbyer në një anije trajnimi në Hiroshima, sipas raportimeve.
Hetimet vazhdojnë.