Zbulohet përmbajtja e një emaili, që ish-presidenti amerikan Barack Obama i dërgoi ish-mjekut të tij, ku e kritikonte për vlerësimin që i kishte bërë presidentit të tanishëm Joe Biden.
Mjeku Ronny Jackson zbulon përmbajtjen e këtij emaili në librin e tij të ri me titull “Holding the Line: A Lifetime of Defending Democracy and American Values”.
Obama i tha doktor Jacksonit se kritikimi i gjendjes mendore të Bidenit ishte “joprofesionale” nga ana e tij.
Jackson kishte shërbyer si mjek i Shtëpisë së Bardhë për presidentët George Ë. Bush, Obama dhe Donald Trump dhe beson se ishte i kualifikuar të bënte një vlerësim të përgjithshëm mbi “deklaratat e çmendura dhe gafat mendore” të kandidatit të atëhershëm presidencial Joe Biden në fushatën e vitit 2020.
“Biden ishte përsëri në TV, duke bërë deklarata të çmendura dhe në lidhje me gafat mendore; ai nuk e dinte se në çfarë shteti ishte apo për cilën zyrë po bënte fushatë.”- kujton Jackson për sezonin e fushatës së vitit 2020. “Ai me sa duket në një moment kujtoi se po kandidonte për Senat dhe më vonë nuk i kujtohej se në cilin shtet po bënte fushatë. Kjo kishte vazhduar për muaj të tërë dhe po përkeqësohej.”
Për vite të tëra, media e kishte akuzuar Trumpin se nuk ishte mirë mendërisht, dhe në vitin 2018 shumë komentues talleshin me Jackson mbi një vlerësim kognitiv që tregonte se Trump ishte në formë “të shkëlqyer” mendore dhe “nuk kishte absolutisht asnjë problem mendor”.
Mjeku thotë në librin e tij të ri se: “Trump kurrë nuk bëri deklarata të çmendura si ato që Biden bënte pothuajse çdo ditë… por këta njerëz po hidheshin lart e poshtë: ‘Ai nuk është i përshtatshëm për të qenë president; ai ka nevojë për një test kognitiv!”.
Në vitin 2020, kur vetë Jackson po kandidonte për Kongresin, mungesa e vëmendjes së medias ndaj dobësisë mendore të Biden-it e shqetësoi shumë dhe bëri një postim në “Twitter” ku shprehej se kandidati demokrat kishte nevojë për një test.
Brenda 20 minutave pas postimit, Jackson mori një email “të ashpër” nga Presidenti Obama.
“Kam shprehur qëllimin që të mos komentoj shërbimin tuaj në administratën e pasardhësit tim dhe kam folur gjithmonë mirë për ju si publikisht ashtu edhe privatisht. Gjithmonë më keni shërbyer mirë mua dhe familjes sime dhe ju kam konsideruar jo vetëm një mjek të mirë dhe një pjesëtar të mirë të shërbimit, por edhe një mik.”- i ka shkruar Obama atij, citon Fox News.
“Kjo është arsyeja pse unë duhet të shpreh zhgënjimin tim për goditjen që bëtë ndaj Joe Biden përmes Twitter-it. Ishte joprofesionale dhe nën zyrën që kishe dikur. Ishte gjithashtu mungesë respekti për mua dhe miqtë e shumtë që kishe në administratën tonë. Ju ishit mjeku personal i Presidentit të Shteteve të Bashkuara si dhe një admiral në Marinën e SHBA-ve. Unë pres më mirë dhe shpresoj që pas reflektimit të presësh më shumë nga vetja në të ardhmen.”– i tha Obama mjekut.
I befasuar dhe i tronditur nga emaili, Jackson në fund zgjodhi të mos përgjigjet. Ai kujton se po mendonte ta telefononte ish-presidentin, por një mik i tij i kujtoi atij se Obama nuk bëri asgjë kur ai ishte në mes të një beteje për të marrë konfirmimin e Senatit për të qenë sekretar i Trump në Departamentin e Çështjeve të Veteranëve. Pasi reflektoi, vendosi të mos përgjigjej.(Hashtag.al)